Droni i zbuloi kanabis në oborrin e shtëpisë, arrestohet 55 vjeçari në Lazarat

Vijojnë kontrollet intensive në territor për parandalimin dhe goditjen e veprimtarive të paligjshme. Si rezultat i përdorimit të dronëve në kuadër të planit operacional “Koordinata”, Policia e Gjirokastrës ka evidentuar një rast të kultivimit të bimëve narkotike në fshatin Lazarat.
Në pranga ka rënë shtetasi Xh. Ç., 55 vjeç, pasi dyshohet se kishte kultivuar bimë narkotike të llojit Cannabis Sativa në oborrin e banesës së tij.
Gjatë operacionit, një pjesë e vogël e bimëve u sekuestrua në cilësinë e provës materiale, ndërsa pjesa tjetër u asgjësua me anë të djegies, sipas procedurave ligjore.
Materialet procedurale iu referuan Prokurorisë pranë Gjykatës së Shkallës së Parë të Juridiksionit të Përgjithshëm Gjirokastër, për veprime të mëtejshme.
Policia e Gjirokastrës bën me dije se kontrollet në territor do të vijojnë pa ndërprerje, me qëllim parandalimin e kultivimit të lëndëve narkotike dhe goditjen e çdo veprimtarie të paligjshme.
/vizionplus.tv




