Subscribe

Një tjetër ngjarje e rëndë ndodhi brenda ambienteve të Komisariatit nr 3 në Tiranë.  Një 32-vjeçar, i identifikuar si Lear Kurti humbi jetën pas disa problemeve shëndetësore që iu shfaqën sapo u kap nga policia dhe u shoqërua në ambientet e Komisariatit.

 

Efektivët lajmëruan ambulancën, por për shkak të vonesës së saj, ata e morën me mjetin e tyre për ta dërguar në Spitalin e Traumës. Fatkeqësisht, 32-vjeçari mbërriti në urgjencë pa shenja jete.

 

Nga hetimi paraprak rezulton se ai pësoi një arrest kardiak, por pritet që shkakun e saktë ta zbulojë mjekësia ligjore, përmes autopsisë.

 

Lear Kurti gjatë mbrëmjes të së mërkurës ishte ndaluar nga policia. Në momentin që efektivët i bënë thirrje që të ndalonte, ai është larguar me vrap për afro 300 metra, ku dhe është kapur më pas nga patrulla që po e ndiqte. Menjëherë pas kësaj Kurti është ndjerë keq duke shfaqur probleme shëndetësore.

 

Burimet nga policia bënë të ditur se viktima ishte përdorues i lëndëve narkotike dhe vuante nga epilepsia.  Madje ai dyshohet se gjatë ndjekjes gëlltiti dy doza kokaine, çka besohet se i sollën edhe komplikacionet në shëndet.

 

Agjencia e Mbikëqyrjes Policore, organ i cili po heton ngjarjen, sekuestroi pamjet filmike dhe dëshmitë e efektivëve, të cilët mohuan që të kishin ushtruar dhunë ndaj të riut.

 

Bashkë me Lear Kurtin dje u shoqërua edhe shoku i tij, Zyhdi Spahiu, i cili rezultoi i dehur në automjetin e tij. Dyshohet se ata ishin bashkë në makinë e më pas janë ndarë. Spahiu është marrë në pyetje dhe është lënë i lirë nga policia.

 

Një shok i viktimës i cili u interesua dje në mbrëmje për fatin e Lear Kurtit, u tregoi policëve se 32-vjeçari vuante nga epilepsia dhe se para dy javësh ishte në gjendje të rëndë shëndetësore.

 

Lear Kurti është një emër i njohur për policinë, pasi rezulton me 3 precedentë penale, për vjedhje dhe drogë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *