Kryeministri i Malit të Zi, Zdravko Krivokapic ka pranuar rrëzimin e qeverisë përpara se të votohet nesër në parlament, përmes një mocioni mosbesimi.

 

Në një konferencë për shtyp, shefi i ekzekutivit deklaroi se ky është një grusht shteti që ka mbështetjen e presidentit Gjukanovic dhe partisë së tij.

 

ZDRAVKO KRIVOKAPIC

KRYEMINISTER, MAL I ZI

 

“Kjo qeveri u rrëzua nga miqtë e saj të parë dhe armiqtë e saj të mëvonshëm. Dua që qytetarët të shohin kush është kush në Mal të Zi. E di që nga nesër nuk do të jem më në këtë detyrë sepse Milo Gjukanoviq u pajtua me atë pjesë të koalicionit të përbashkët që u zgjodh me vullnetin e qytetarëve më 30 gusht të vitit 2020”.

 

Kryeministri shtoi se qeveria nuk mund t’i mbijetonte sulmit që vinte nga brenda dhe se sipas tij, ata që punuan më pak dhe bënë më shumë zhurmë, morën maksimumin.

 

“Këta njerëz nuk mund t’i shkarkosh, janë më të fortë se çdo politikë. Marrëveshja e mbajtësve të tre listave zgjedhore, e nënshkruar më 8 shtator 2020, ishte e nevojshme që fitorja e popullit të mos kthehet në një tjetër disfatë, që çdo gjë të kthehet përfundimisht në duart e Gjukanovic. Po hyjmë në fund të atij plani, aktorët e të cilit kanë punuar shumë më tepër fshehurazi se sa publikisht, më shumë në dëm të popullit dhe shtetit.”

 

Reagimi i Krivokapic erdhi menjëherë pasi seanca e jashtëzakonshme për shkarkimin e zëvendës kryeministrit Dritan Abazovic, dështoi.

 

Në sallë ishin të pranishëm 77 nga 81 deputetë gjithsej, ndërsa vetëm 20 prej tyre u shprehën pro miratimit të rendit të ditës.

 

Sakaq, Abazovic ka deklaruar se qeveria e ardhshme e pakicës ka siguruar mbështetjen e të paktën 49 deputetëve.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *