Subscribe

Mëngjesi i kësaj të marte ishte tragjik për vendin tonë, pasi 8 persona humbën jetën si pasojë e një aksidenti të rëndë të ndodhur në afërsi të Këlcyrës. Drejtori i Policisë së Gjirokastrës, Ardian Çipa, në një deklaratë për mediet ka zbardhur dinamikën e plotë të aksidentit. Çipa sqaroi se makina tip “Benz” është pikasur rreth orës 02:20 të mëngjesit nga patrulla e policisë teksa lëvizte me shpejtësi. Efektivët i kanë bërë thirrje shoferit që të ndalojë, por ky i fundit e ka kthyer mjetin dhe ka filluar të lëvizë në drejtim të Përmetit.

“Rreth orës 02:20 të datës 2 Prill në afërsi të Këlcyrës, patrulla këmbësore e stacionit të policisë Këlcyrë ka hasur një automjet që po lëvizte me shpejtësi tej normave të lejuara. Në përpjekje e sipër për t’i bërë shenjë për të ndaluar, automjeti është kthyer menjëherë dhe është nisur në drejtim nga qyteti i Përmetit. Patrulla e policisë, e cila ishte me shërbim për kontrollin e territorit si dhe aksin Përmet-Këlcyrë me automjetin e vet është përpjekur të marrë kontroll vizual mbi automjetin dhe e ka ndjekur deri në afërsi të vendit të ngjarjes. Menjëherë ka informuar sallën operative dhe ka transmetuar të gjithë informacionin për automjetin e dyshimtë i cili ishte larguar me shpejtësi të madhe në drejtim të Përmetit. Rreth orës 03:55 duke qenë se nuk është konstatuar automjeti, patrulla me një automjet ka lëvizur në drejtim të Përmetit duke marrë kontakt dhe me qytetarë të ndryshëm të cilët i ka pyetur lidhur nëse kanë parë apo jo një mjet të tillë i cili ka ikur me shpejtësi. Duke qenë se nuk ka marrë informacion ka filluar inspektimin e gjithë zonës dhe pikërisht në vendin ku ndodhemi ku ka ndodhur dhe aksidenti ka parë shenja të një aksidenti rrugor dhe më pas ka mundur të lokalizojë automjetin që ka rënë në afërsi të lumit Vjosa. Ka zbritur poshtë dhe menjëherë ka transmetuar informacionin shërbimeve që më pas kanë njoftuar prokurorin dhe grupin hetimor për të ardhur në vendngjarje”, u shpreh drejtori i policisë Çipa.

Lexo edhe :

Related Posts

Shoferi i “Benzit” është me origjinë nga Shkodra, por identiteti i tij nuk është bërë ende me dije nga policia.

Ndërkohë edhe prokurori Petrit Çano thotë se do të bashkëpunojnë me të gjitha ambasadat me qëllim zbulimin e emrave të viktimave të tjerë. Sa i përket makinës ajo rezulton se është marrë me qira në Shkodër dhe nuk është pronar drejtuesi.

“Siç informoi Drejtori i Policisë kemi të bëjmë me një ngjarje të rëndë aksidentale, shkaqet ai i përmendi cilat ishin, mënyrën si ka ndodhur. Ne jemi informuar nga Drejtoria e Policisë dhe të gjitha strukturat e tjera. Së bashku me prokuroren e përgjithshme kemi ardhur në vendngjarje. Kemi organizuar punën që të bëhet me kujdes këqyrja e kufomave, identifikimi i tyre, pastaj në bashkëpunim me strukturat e tjera, do kryejmë të gjitha procedurat hetimore për të përcaktuar shkaqet dhe përgjegjësitë nëse ka të tilla. Mjeti është rikthyer përsëri në drejtim të qytetit të Përmetit, me shumë shpejtësi, ende se përcaktojmë dot sa ka qenë sepse do dalë në vazhdimësi. Si duket ka dalë jashtë kontrollit dhe ka përfunduar në këtë pjesë që ju e shikoni. Ky është objekti i hetimit. Rezulton se vetëm drejtuesi i automjetit është shtetas shqiptar, automjeti është marrë me qira në një nga pikat në Shkodër, nuk është pronar drejtuesi. Viktimat e tjera janë shtetas të huaj nga vendet e treta, që donin të kalonin në vendet e tjera të BE-së. Se dimë akoma se cilave shtete u përkasin. Jemi duke pritur edhe mjekët ligjorë nga Tiranë për të bërë autopsinë. Do bashkëpunojmë me të gjitha ambasadat përkatëse pasi t’i identifikojmë. Nuk është thjesht aksident, vjen si rrjedhojë e një ngjarjeje kriminale. Në këtë zonë merren me këtë aktivitet të paligjshëm, gjithsesi është kombinim i dy veprave penale”, deklaroi për gazetarët Prokurori i Rrethit Petrit Çano./vizionplus.tv

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *