Një 25-vjeçar është arrestuar në flagrancë nga shërbimet e Policisë Kufitare në PKK Muriqan, pasi dyshohet se drejtonte automjetin nën efektin e lëndëve narkotike dhe posedonte një sasi kokaine.
Sipas njoftimit të DVKM Shkodër, arrestimi u bë në kuadër të kontrolleve dhe verifikimeve të shtuara për parandalimin dhe goditjen e krimeve kufitare. Në bashkëpunim me Seksionin për Hetimin e Narkotikëve të DVP Shkodër, shërbimet e Policisë Kufitare vunë në pranga shtetasin G. B., 25 vjeç, banues në Tiranë.
I riu u ndalua për kontroll në dalje të territorit të Republikës së Shqipërisë, teksa drejtonte automjetin e tij. Gjatë verifikimeve, policia dyshoi se ai ishte nën efektin e lëndëve narkotike, ndërsa në kontroll iu gjet një sasi lënde e dyshuar narkotike, kokainë.
Lënda narkotike dhe automjeti u sekuestruan në cilësinë e provës materiale.





