Tridhjetë vjet pas vrasjes së legjendës së rap-it, Tupac Shakur, çështja mori një kthesë vendimtare pasi një gjykatë në Las Vegas shpalli fajtor Duane Keith Davis, ish-drejtues bande.
Davis, 63 vjeç, u shpall përgjegjës për vrasjen e reperit, edhe pse nuk ishte personi që tërhoqi këmbëzën. Prokuroria u mbështet kryesisht në deklaratat dhe rrëfimet e tij të mëparshme. Që në vitin 2019, në autobiografinë e tij “Compton Street Legend”, Davis kishte përshkruar me detaje ngjarjet që çuan në vrasjen e Tupac.
Tupac Shakur lindi në East Harlem të Nju Jorkut në vitin 1971 dhe u bë një nga figurat më të rëndësishme të hip-hop-it në fillim të viteve ’90. Në këngët e tij ai trajtonte tema si pabarazia sociale, racizmi sistemik, dhuna policore dhe vështirësitë e komuniteteve të margjinalizuara.
View this post on Instagram
Reperi ishte vetëm 25 vjeç kur u qëllua katër herë më 7 shtator 1996, në Las Vegas. Për dekada, vrasja e tij mbeti e pazbardhur dhe u shoqërua me teori të shumta konspirative.
Sipas Davis, motivi për sulmin lidhej me një përleshje që kishte ndodhur më herët atë mbrëmje në hollin e MGM Grand. Anëtarë të grupit të Tupac kishin sulmuar nipin e tij, Orlando “Baby Lane” Anderson, i cili ishte pjesëtar i një bande rivale. Anderson u vra dy vjet më vonë në një tjetër incident me armë zjarri.
Hetimi ndaj Davis u mbështet edhe në rreth tetë orë regjistrime, në të cilat ai fliste për atë që kishte ndodhur natën e vrasjes.
Gjatë shpalljes së vendimit, sipas Associated Press, Sekyiwa “Set” Shakur, motra e Tupac, shpërtheu në lot. Edhe djali i Davis u pa duke mbuluar fytyrën me duar.
Dënimi përfundimtar ende nuk është shpallur. Për akuzën e vrasjes së shkallës së parë, dënimi mund të variojë nga 20 vite burg deri në burgim të përjetshëm. Davis ka deklaruar se synon të apelojë vendimin.
“Kemi pritur 30 vjet për të vajtuar siç duhet”, tha kushëriri i Tupac, Zayd Akinyela. “Shumë njerëz nuk mund të vajtojnë derisa të kuptojnë se çfarë i ndodhi personit të tyre të dashur dhe si ndodhi.”
Kështu, pas tre dekadash, një prej rasteve më të bujshme në historinë e hip-hop-it ka marrë një vendim gjyqësor.
/vizionplus.tv





