Subscribe

Në vizitën disaorëshe në Tiranë të Ndihmës Sekretares amerikane të Shtetit Viktoria Nuland, domosdoshmëria e miratimit të reformës në drejtësi ishte tema kryesore e takimeve të saj. Me kryeministrin Edi Rama, u bë e qartë se kjo reformë është shumë e rëndësishme jo vetëm për fatin e proceseve integruese të vendit, por për vetë qytetarët shqiptarë. Kreu i qeverisë ripërsëriti qëndrimin se partia që drejton është e gatshme të votojë reformën, e hartuar me ekspertizën më të mirë të partnerëve ndërkombëtarë, kryesisht të atyre amerikanë.
Takimet në Tiranë, zyrtarja e lartë amerikane i nisi me ministrin e Jashtëm Ditmir Bushati, i cili vlerësoi se reforma në drejtësi mbart në vetvete një rëndësie parësore në forcimin e shtetit ligjor, luftën kundër korrupsionit e krimit të organizuar, në përforcimin e sundimit të ligjit në ekonomi dhe me impakt të drejtpërdrejtë në avancimin e Shqipërisë në procesin e integrimit evropian. Ministri Bushati, u shpreh se për qeverinë nuk ka as kthim prapa e as hollim të reformës. Sipas njoftimit për shtyp, Ndihmës Sekretarja Nuland theksoi se reforma në drejtësi, mbetet një prioritet i lartë në marrëdhëniet SHBA-Shqipëri dhe për përparimin e vendit ne rrugëtimin drejt BE-së. Në qëndrimin katërorësh në Tiranë, u vu re se Viktoria Nuland nuk u takua me kreun e Kuvendit Ilir Meta, njëherësh kryetar i LSI-së, parti që ka një numër të konsiderueshëm votash, të domosdoshme për votën e 21 korrikut.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *