Dosja “Partizani”/ SPAK rrëzon pretendimet e Berishës! Gjykata shtyn vendimin më 27 tetor

Në Gjykatën e Posaçme kundër Korrupsionit dhe Krimit të Organizuar (GJKKO) u zhvillua sot seanca e radhës për çështjen e njohur si afera “Partizani”, ku të pandehur janë ish-kryeministri Sali Berisha, dhëndri i tij Jamarbër Malltezi dhe tre persona të tjerë. Vetë Berisha nuk u paraqit në sallën e gjyqit, ndërsa seanca u përqendrua në shqyrtimin e kërkesave të të gjithë të pandehurve për pavlefshmëri të akteve dhe papërdorshmëri të provave në dosje.
Këto pretendime u kundërshtuan nga prokurori i SPAK, Arben Kraja, i cili parashtroi një material me 25 faqe, ku argumentonte se kërkesat e mbrojtjes janë të pabazuara në ligj dhe në prova. Kraja theksoi se SPAK ka kompetencë të plotë për ndjekjen penale në këtë rast dhe se aktet janë të vlefshme e të ligjshme. Sipas tij, nuk janë konstatuar elementë korrupsioni nga zyrtarë të tjerë dhe aktet kolegjiale nuk ngarkojnë me përgjegjësi persona të tjerë përtej të pandehurve.
Po ashtu, prokurori i hodhi poshtë pretendimet për pazgjedhshmërinë e gjyqtares Irena Gjoka, duke theksuar se ajo është e emëruar sipas ligjit dhe e ushtron detyrën në mënyrë të rregullt. Edhe pretendimet për papërdorshmëri të disa akteve të ekspertimit u rrëzuan, me argumentin se ekspertët janë punonjës shtetërorë, pa ndonjë ndalesë ligjore për përfshirjen e tyre dhe pa konflikt interesi me të pandehurit.
Nga ana tjetër, avokati i Sali Berishës, Genc Gjokutaj, deklaroi se prokuroria nuk dha asnjë përgjigje për shkeljet e pretenduara nga mbrojtja në seancën e kaluar. Në përfundim të seancës, Gjykata e Posaçme vendosi të marrë kohë për shqyrtimin e pretendimeve paraprake dhe njoftoi se do të shprehet më 27 tetor.
/vizionplus.tv




