7 muaj nga mbyllja e hetimeve, Gjykata e Posaçme kaloi për gjykim dosjen “Partizani”. Ish kryeministri vendit Sali Berisha do të perballet me tagat e zeza tashmë zyrtarisht në bankën e të akuzuarve.
Atij do ti duhet t’i nënshtrohet procesit gjyqësor në themel nën akuzën e korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetërorë. Avokati i Berishës, Genc Gjokutaj tha se nuk do të kërkojnë gjykim të shkurtuar.
“Nuk e kemi kërkuar gjykimin e shkurtuar, se mungon fakti penal, dhe e dyta në momentin kur konstaton akte të pavlefshme dhe të papërdorshme gjykimi i shkurtuar është i rrëzuar automatikisht. Kjo gjykatë, i vleftësoi ato akte dhe e dërgoi në gjyq, por neve kemi leximin tonë të ligjit, germë për germë, faqe për faqe”, tha avokati.
Megjithëse Irena Gjoka, gjyqtarja e hetimeve paraprake, tashmë është ndërruar me Flojera Davidhin, edhe sot mbrojtësit e Berishës kërkuan që vendimmarrjet e saj të shpallen të pavlefshme pasi sipas tyre, Gjoka është dënuar nga shteti grek.
“Edhe kallëzim kemi bërë, këtu nuk ka çarje në radhët e tyre, se rasti është flagrant. Nga ana e gjyqtares, për çështje edhe profesionale edhe etike, duhej të ishte dhënë një version i saj, një shpjegim, ose të ndërmerrte ndonjë veprim të largohej. Është më mirë kur ikën vetë me këmbët e tua se kur të heqin. Ne po vazhdojmë, kemi edhe ne strategjinë tonë, ne po luftojmë në një terren që nuk ka sy që shikojnë dhe nuk ka veshë që dëgjojnë”, u shpreh Genc Gjokutaj.
I bashkëpandehur me Berishën është dhëndri i i tij, Jamarbër Malltezi ndaj te cilit pozita ligjore është më e ashpër për shkak të akuzës së pastrimit të parave. Të përfshirë në këtë dosje janë edhe biznesmenët, Fatmir Bektashi, e Xhimi Begeja së bashku me noteren Andia Pustina.
Sipas prokurorisë së posaçme, Sali Berisha krijoi kushte kur shërbente si kryeministër i vendit që dhëndri i tij të përfitonte nga nxjerrja e akteve nënligjore privatizimin e trojeve shtetërore të ish- klubit sportiv, Partizani. Tashmë mbi truallin e privatizuar, janë ndërtuar 19 pallate.
/vizionplus.tv





