Thirrjen si dëshmitar në procesin “Partizani” të kryeminstrit të vendit, Edi Rama, SPAK ia la në dorë Gjykatës Antikorrupsion.
Në procesin me të pandehur, Sali Berishën, dhëndrin e tij, Jamarbër Malltezi dhe të tjerët, kjo kërkesë është bërë nga grupi mbrojtës, që pretendon se dëshmia e tij do të sillte zbardhjen e së vërtetës për privatizimin e ish-klubit sportiv Partizani.
Njëzëri avokatët thonë se Edi Rama kur ka qenë kryetar i bashkisë së Tiranës, përpiloi bazën ligjore për ndryshimin e destinacionit të truallit nga klub sportiv në shesh ndërtimi.
Gjatë seancës së të enjtes, prokurorja Enkeleda Millonai që përfaqëson akuzën e SPAK, bashkë me Arben Krajën nuk e kundërshtuan thirrjen e kryeministrit si dëshmitar, por kërkuan që vendimi të merret nga togat e zeza.
Por nga ana tjetër, SPAK kundërshtoi marrjen e dëshmisë së agjentit të Byrosë Komëbtare të Hetimit, për të cilin mbrojtja ka sjellë një foto që provon se ai ka qenë i pranishëm në një nga mitingjet e Partisë Socialiste. Millonai thotë se ai është bërë pjesë e hetuesve në vitin 2023, ndërsa fotoja daton shumë kohë më parë ndaj dëshmia e tij nuk provon asgjë në proces.
Një tjetër kërkesë që më herët kishte bërë Jamarbër Malltezi ishte t’i lirohen 25 pasuritë e tij të sekuestruara, pasi ngrirja e tyre e vendos atë në pamundësi ekonomike. Por SPAK argumentoi se familja Malltezi ka të tjera pasuri dhe masa e sekuestros nuk e vendos atë në vështirësi ekonomike.
Në fjalën e tij, Malltezi tha se gjyqtarja Irena Gjoka dhe ajo e Apelit të Posaçëm Ilirjana Olldashi kanë zhdukur nga procesverbali pretendimin e tyre se gjyqi është i motivuar politikisht. Kjo i ka shkaktuar probleme avokatëve, pasi nuk kanë arritur dot të kryejnë mbrojtjen në Kushtetuese.
Vendimi për të gjitha këto kërkesa do të merret në datën 15 prill. Të bashkëpandehur në proces janë ndërtuesi Fatmir Bektashi, që ndërtoi 17 pallate mbi këto troje, noterja Andia Pustina dhe shoqëritë Homplane dhe Kontakt.





