Për dosjen CEZ-DIA, Ilir Meta dhe ish-bashkëshortja e tij, Monika Kryemadhi do të përballen me Gjykatën e Posaçme në datën 9 tetor.
Kjo pasi seanca e kësaj të enjteje që do të vendoste nëse ata do të uleshin në bankën e të akuzuarve përballë togave të zeza u shty. E pandehura, Monika Kryemadhi tha se SPAK ka dështuar të provojë akuzën, ndërsa prokurorët lënë për të dëshiruar me përgjigjet që u kanë kthyer SHBA-ve dhe Britanisë së Madhe në përgjigjet e letërporosive që këto dy shtete i kanë kërkuar këtij institucioni.
“Jam skandalizuar nga mënyra se si këto dy shtete i janë përgjigjur SPAK. SHBA i thotë a keni vendim gjykate për sekuestron dhe SPAK ka gënjyer dhe thotë “po kemi” dhe i çon vendimin për sekuestron e celularit të mamasë sime. I thotë që mamaja ka të ardhura vetëm si pensioniste, ndërkohë mamaja ime ka ardhur në Tiranë që në 1962 dhe ka punuar dhe justifikon blerjen e shtëpisë, pavarësisht se këta nuk e pranojnë. Nga ana tjetër, Britania ju thotë se na keni shpjeguar telefonin e kësaj zonjës dhe CV e Metës, a mund të na thoni cili është krimi që ka bërë Meta dhe Kryemadhi se nuk e shohim. Dhe tjetra, mos u tallni me ne se ne nuk ndjekim njerëz e u përgjojmë telefonat”, tha Kryemadhi.
Kryemadhi bëri të ditur se do thërrasë si dëshmitar të mbrojtjes edhe kryeministrin Rama.
“Patjetër, kryeministrin Edi Rama, shefen e kabineti Vali Bizhga, ish-ministren Milena Harito. Janë dy letërporosi që janë dërguar në Angli dhe Amerikë. Jam skandalizuar nga mënyra se si këto dy institucione i janë përgjigjur SPAK. Ku ndryshon një kriminel që i vendos një pistoletë në kokë një biznesmeni, një prokurori, një politikani, nga një institucion si ky këtu që kërcënon, intimidon, shantazhon, linçon një qytetar që nuk pranon të thotë atë që ka dëshirë të thotë prokurori në dosje”, tha ish-deputetja.
Vendimin për kalimin apo jo për gjykim të dosjes e ka në duar gjyqtarja Irena Gjoka. Në bashkëpuim ish-Presidenti Ilir Meta akuzohet se ka kryer korrupsion, pastrim parash e fshehje të origjinës së tyre në lidhje me dosjet Cez-Dia, lobimin në Shtetet e Bashkuara të Amerikës dhe për shpenzime familjare.





