Nis beteja ligjore e ish-numrit dy të qeverisë, Arben Ahmetaj në Gjykatën Antikorrupsion për dosjen “Buka”.
Kjo e mërkurë shënoi seancën e parë gjyqësore në themel për privatizimin fabrikës së bukës te zona e 5 majit.
Prokuroria kërkoi që në proces të merrej në pyetje i pandehuri, Ahmetaj, ndërsa mbrojtja kërkoi që ish-ministri të dëshmojë përmes audios ose videos. Gjyqtarja e Posaçme, Irena Gjoka i tha po kësaj kërkese.
Ndërkaq, SPAK i përfaqësuar nga prokurori, Elvin Gokaj kërkoi 22 dëshmitarë që provojnë sipas tij, akuzën e shpërdorimit të detyrës. Mes tyre bën pjesë edhe ish-ministri i financave, Shkëlqim Cani, i cili më 30 janar të dy viteve më parë është marrë në pyetje pikërisht për këtë çështje.
Të parin në listë organi i akuzës kërkoi Lirim Fezollarin, personin që nga hetimet del se Ahmetaj e favorizoi duke privatizuar pronën.
Ky privatizim i solli atij përfitime monetare, por nga ana tjetër dëmtoi familjen Myderizi, e cila e ka kallëzuar në SPAK.
Ahmetaj sipas prokurorisë e nxori në ankand truallin e tyre pa përcaktuar formulën e shitjes duke dëmtuar edhe shtetin.
Kur u mor i pandehur për këtë dosje, SPAK tha se e bazon akuzën e shpërdorimit të detyrës përmes komunikimeve me SMS në vitin 2019 dhe më tej në vitin 2020.
Hetimet për ish-numrin dy të qeverisë për këtë vepër penale kanë filluar pas kallëzimit të bërë nga familja Myderizi në vitin 2018, e cila është viktimë në këtë proces, si trashëgimtare e pronës së paluajtshme.
Seanca e radhës u la në datën 24 shkurt, ndërsa nga hetimi prokurori Elvin Gogaj ka regjistruar edhe një fraksion tjetër për pastrim parash për një transfertë 3 milionë euro drejt Austrisë për të cilat ka nisur verifikimet për lëvizjen e parave.
Ahmetaj ka përjashtuar kategorikisht përfshirjen e tij në këtë privatizim, duke thënë se procedura ka nisur në vitin 2004./vizionplus.tv





