Deputeti demokrat, Ervin Salianji do të njihet sot me vendimin e gjykatës së Apelit të Përgjithshëm për dosjen “Babalja”.
Seanca pati tension pas depozitimit të një vendimi nga mbrojtja e Geron Xhafës.
Bëhet fjalë për nje vendim të datës 12 prill 2018 të gjykatës së krimeve të rënda që pushoi hetimet për trafik droge ndaj Geron Xhafës.
Vendimi i është dorëzuar Apelit të Përgjithshëm, nga mbrojtësi i Geron Xhafes, Ardian Visha javën e kaluar, pasi u mbyll shqyrtimi gjyqësor, gjë që sot shkaktoi debat pasi pritej vetëm shpallja e vendimit e jo depozitimi i provave të reja.
Mbrojtja e Ervin Salianjit pretendon se ky vendim përsa kohë nuk ka marrë formë të prerë, nuk është i ligjshëm.
Çfarë është dosja “Babale”?
Pranverën e 2018-ës, PD botoi 2 audioregjistrime, përmes së cilave supozonte se vëllai i ministrit të Brendshëm aso kohe, Fatmir Xhafaj, Agroni ishte i përfshirë në trafikimin e lëndëve narkotike.
E tërë çështja u emërua “Babalja”, pasi dëshmitari X i Partisë Demokratike, i cili ishte i përfshirë në audioregjistrime, thirrej në to me pseudonimin Babale.
Krimet e Rënda lëshuan urdhër-arreste për protagonistët e audiopërgjimit, Albert Veliu, i njohur ndryshe me nofkën “Babalja” dhe kunatin e tij, Fredi Alizoti.
Nga ekspertiza që i është bërë kampionit të zërit, ai që dëgjohet në audio s’është i Agron Xhafajt, por i Alizotit, i cili pranonte se kishte imituar zërin e vëllait të ministrit, pasi iu ishin premtuar 200 mijë euro nga deputeti me mbiemrin Salianji.
Ai u shpreh se kishte vendosur të tregonte të vërtetën pasi “Babalja” nuk i kishte dhënë pjesën e parave që i detyrohej.
Më pas prokuroria mori të pandehur ish-deputetin e Partisë Demokratike Ervin Salianji për dosjen ‘Babale’.
Salianji është marrë i pandehur, pasi rezultoi si personi që kontaktoi me Albert Veliun dhe nëpërmjet gazetarit Jetmir Olldashi publikuan në selinë e PD audio-përgjimin e rremë.
Ndërkohë, vëllai i ish-ministrit të Brendshëm Fatmir Xhafa, Agron Xhafa la kampionin audio të zërit të tij në prokurori dhe u largua për t’u dorëzuar drejtësisë në Itali ku kishte për të vuajtur edhe 4 vite burg./vizionplus.tv





