Subscribe

Kryebashkiaku i Tiranës Erion Veliaj reagoi pas arrestimit te drejtorëve dhe ish-drejtorëve të bashkisë që drejton prej 9 vitesh duke sqaruar se ai nuk ka marrë kurrë asnjë përfitim nga tenderat për të cilët akuzohen ish-bashkëpunëtorët e tij dhe nuk e ka shkelur asnjëherë ligjin.

Në një mesazh të shpërndarë në rrjetet sociale Veliaj sqaroi të gjithë pozicionin e tij në raport me tenderat që po heton SPAKU dhe me akuzat për korrupsion për të cilat një pjesë e drejtuesve te bashkisë janë në burg apo në arrest shtëpie

Lexo edhe :

Related Posts

“Nuk e kam shkelur kurrë as ligjin, as besimin e atyre që më kanë dhënë tre herë mandatin për të drejtuar Tiranën. Prandaj, drejtësia të vazhdojë punën e saj, s’ka nevojë t’ia them unë se çfarë duhet të bëjë, ndërsa unë do të vazhdoj punën time me skuadrën e transformimit të Tiranës, edhe me më shumë këmbëngulje për Tiranën e për bashkëqytetarët e mi, pas kësaj ngjarjeje që nuk më bën aspak krenar”,  tha Veliaj.

Por kryetari i bashkisë vuri në dukje se akuzat e spakut nuk mund të fshijnë punët që janë bërë në Tiranë në dekadën e fundit

“Nuk ka asnjë diskutim, që unë kam punuar dhe bashkëpunuar me këta njerëz dhe për sa më takon, e kam vlerësuar punën e tyre në bazë të rezultateve, që flasin vetë në çdo cep të qytetit, për këdo që do t’iu referohet arritjeve reale në sektorët që ata kanë drejtuar, në kohën që kanë punuar në Bashkinë e Tiranës”,  u shpreh kryebashkiaku.

Veliaj iu përgjigj te gjithë kundërshtarëve politikë që përgjatë këtyre ditëve kanë bërë përgjegjës  edhe kryeministrin Edi Rama

“Po pse, në cilën pjesë të funksionit të tij të përcaktuar me Kushtetutë dhe dispozita ligjore, kryeministri duhet të përgjojë zëvendësin e tij apo cilindo zyrtar tjetër, me të cilin e lidh puna, kur këta të fundit e ushtrojnë influencën e postit dhe i përdorin lidhjet e tyre me X-in ose Y-in, për të përfituar në mënyrë të paligjshme?!”,  tha ai.

Në 28 mars spaku arrestoi Redi Mollën ish-drejtorin e ujësjellësit të Tiranës dhe Maringlen Qaton i cili ka qenë në krye të  Inspektoratit të Mbrojtjes së Territorit, ndërkohë që një urdhër i dytë arresti u lëshua për ish-drejtorin e përgjithshëm Taulant Tushën që ndodhet në burg në kuadër të hetimeve për inceneratorin e Tiranës. Nën hetim por me masa më të lehta sigurie janë edhe 4 drejtues të tjerë të bashkisë së Tiranës. Sipas prokurorisë dyshohet se ish-drejtorët Molla e Qato kanë ngritur një kompani dhe kanë përfituar në kundërshtim me ligjin tendera nga ujësjellësi dhe bashkia e Tiranës. /vizionplus.tv

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *