Dëshmojnë në Gjykatën e Posaçme dy ish pronarët e kopmanisë 5D, e cila më herët quhej, IGOR Konstruksion dhe më pas VAS Konstruksion. Kjo e fundit, në vitet 2018-2021 zotërohej nga Muhamet Petriti. Ai tregoi në seancë se dhëndri i tij Alfred Qato, vëllai i Mariglen Qatos, i kishte ofruar të bëhej pronari i kompanisë.
Petrit Muhameti: Punën ma ofroi dhëndri im, Alfred Qato. Është një firmë e mirë më tha, do jesh pronar. Nuk do bësh asgjë, ke staf për punën, vetëm do firmosësh. Hapa një llogari në bankë për të tërhequr lekët. Banka më niste mesazh, të tërheq shumën, herën e parë ishte 40 milionë lekë të vjetra. Dy herë lekët ia dhashë Fredit. Pasi ndërruam bankën, afro katër herë lekët ia dhashë Nestor Muhametllarit. Shumat ishin: 42 milionë më e madhja, 32 milionë, 37 milionë, 38 milionë, 40 milionë, 18 milionë ishte më e vogla. Më pëlqeu se thashë është punë me bankë. Puna ishte 25 minuta. Pas një viti e shita, se pata një operacion zemre. I kërkova Alfredit të hiqja dorë. Kur e bleva nuk mora lekë, edhe kur e shita me 10 milionë lekë, nuk mora lekë. Asnjë qindarkë nuk kam marrë, asnjëherë. Rreth 25 muaj zgjati.
Pronari i IGOR Electric, Eduard Meta tha se me të pandehurit, Mariglen Qato, Redi Molla e Taulant Tusha, që sipas SPAK janë pronarët faktikë të “5D”, ishin shokë e frekuentonin vende të përbashkëta.
I pyetur nga prokurori për shitjen e 75% të aksioneve për 75 lekë ai sqaroi: Pjesa dërrmuese ka shkuar nëpër objekte, rërë, naftë, fadromat. I kemi paguar nën dorë se ashtu ishte atëherë. Kam qenë ortak i shoqërisë IGOR ELECTRIC për 2 vjet, 2016-2018. E kam njohur Redin, ishim grup, rrinim te lagjja, pinim ndonjë birrë, ndonjë ndeshje shikonim. (Merin) Mariglenin e kam njohur të parin, e kam njohur në vitet 2006-2005. Nuk kam pasur marrëdhënie të ngushta. Te lokali vinte Redi, Nestori. Doja të hapja një biznes, një palestër, ndaj e hoqa kompaninë.
Jona Bejko, inxhinierja e 5D, u pyet nga prokurori Klodian Braho se kujt i referohej me emrin “pronar” në bisedën e saj me financieren Jonida Hoxha kur i ka shkruar merr 600 mijë lekë të qelbura, kurse pronari është me hotel në Dhërmi. Po ashtu ajo u pyet se kujt i referohet kur thotë Lali Eri?
Jon Bejko: Kam hamendësuar që shoqëria ka pasur pronar Redi Mollën. Kisha dëgjuar, nuk e dija që ishte ai. Nuk e kam parë asnjëherë te kompania. Jam ankuar për rrogën, sepse ishte pak dhe ne kishim shumë punë. Më keni bërë bisedë mediatike, tani e 1 vit. I referohem Erion Veliajt.
Në këtë gjyq të pandehur janë tetë persona të cilët përmes kompanisë 5D i jepnin tendera vetes, duke fryrë dhe faturat, për të përfituar vetë.





