Dy prokurorët e Krimeve të Rënda që firmosën urdhërin për ndalimin e çdo lloj përgjimi të dosjes 339 kanë reaguar sërish pas debatit të krijuar.

 

Në një njoftim të dytë, prokurorët e çështjes Vladimir Mara e Dritan Premçi sqarojnë se ndalimi i publikimit të materialeve është I bazuar në ligjin proçedurial dhe synon që të rruajë sekretin hetimor.

 

Sipas dy prokurorëve, nxjerrja e akteve me të dhëna të ndryshme që përbëjnë sekret hetimorë, mund të ndikojë në rezultatet e hetimit si dhe në tjetërsimin e provave.

 

NJOFTIMI I PLOTE:

Sipas Urdhërit të Prokurorëve, datë 05.06.2019, të dërguar për njoftim në media, në lidhje me ndalimin e publikimit të akteve sekrete të proçedimit penal nr. 339 të vitit 2016, sqarojmë se ndalimi i publikimit, është i bazuar në ligjin proçedural dhe atë material në fuqi, (nenet 103, 104 e 105 të Kodit të Proçedurës Penale dhe neni 295/a të Kodit Penal).

 

Ky ndalim ligjor synon të ruajë sekretin hetimor dhe gjen zbatim për të gjithë subjektet proçedurale të çështjes penale nr. 339 të vitit 2016, si prokuror, oficer të policisë gjyqësore, mbrojtës ligjor, të pandehur dhe çdo subjekt tjetër që është njohur apo merr dijeni për aktet e proçedimit penal për shkak të funksionit që kryen.

 

Në fazën ku ndodhet hetimi i kësaj çeshtjeje, nxjerrja e akteve me të dhëna të ndryshme që përbëjnë sekret hetimorë, mund të ndikojë në rezultatet e hetimit, tjetërsimin apo deformimin e provave si dhe sigurinë e shtetasve emrat e të cilëve mund të bëhen publike nga publikimi i paautorizuar i akteve sekrete, të cilët janë pyetur apo do të pyeten për faktet objekt hetimi.

 

Duke vlerësuar rolin e mediave në informimin e publikut, ju bëmë me dije se ky urdhër nuk ka për qëllim kufizimin apo cënimin e lirisë së mediave, por vetëm arsyet ligjore të lartpërmëndura.

 

PROKURORËT E ÇËSHTJES

 

VLADIMIR MARA DRITAN PREMÇI

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *