Subscribe

Pas dorëheqjes nga posti i kryeministri ka reaguar Ramush Haradinaj, I cili është shprehur se arsyeja për këtë vendim është ftesa nga Gjykata Speciale në Hagë si i dyshuar.

 

Kryeministri Haradinaj dorëheqjen e ka dhënë para kabinetit të tij qeveritar.në një deklaratë për mediat ai ka thënë se në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar.

 

“Jap dorëheqje të parevokueshme nga detyra e kryeministrit të Republikës së Kosovës dhe dua t’iu falënderoj për besim dhe për përkrahje. Arsyeja e këtij vendimi është se kam marrë thirrje të paraqitem për t’u marrë në pyetje nga dhomat e specializuara në Hagë si i dyshuar. Qeveritë dhe pushtet janë të ndërrueshme, jetojmë në demokraci, nderi i kryeministrit dhe i shtetit duhet të ruhet dhe unë nuk e poshtëroj asnjëherë. Në Hagë shkoj si Ramush Haradinaj, i dal përballë shpifësve ashtu siç e kërkon nderi i luftëtarit shqiptar. Pastërtia ime edhe e luftës së UÇK-së është e konfirmuar nga dy aktgjykime nuk mund të njolloset nga askush dhe asnjë herë. Shteti im është Kosova, Kosova e paprekshme me një multietnicitet, me shumë gjuhësi, me territor e kufij, Kosovës i bëhet presion i padrejtë për çmimin e njohjes nga Serbia, ndarja apo Dodik Republika”.

 

Gjithashtu Haradinaj ndër të tjera është shprehur se pas dorëheqjes ka kërkuar nga sovrani që të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike.

 

“Pas kësaj dorëheqjeje mandatin ia kthej popullit. Sovrani të vendosë për udhëheqjen e ardhshme me zgjedhje të lira dhe demokratike. I drejtohem Presidentit që në afatin kushtetues të kryejë konsultimet me partitë politike dhe t’i shpallë zgjedhjet e parakohshme. Qeveria e vendit vazhdon të kryejë funksionet e veta pa lejuar vakuum qeveritar deri në Qeverinë e re të dalur nga zgjedhjet e lira dhe demokratike. Menjëherë do t’i drejtohem me shkresa zyrtare për dorëheqjen e parevokueshme institucioneve të vendit dhe udhëheqësve të koalicionit qeverisës. Do t’i shërbej me besnikëri, gjithë jetën, popullit, atdheut dhe shtetit tim Kosovës.”

 

Ndërkohë kujtojmë se është hera e dytë që Ramush Haradinaj jep dorëheqje nga pozita e kryeministrit si i dyshuar për krime lufte.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *