Dorëhiqet Drejtori i Përgjithshëm i Burgjeve, Admir Abrija. Dorëzimi i saj pritet të shqyrtohet në mbledhjen e qeverisë, ndërsa përmes burimesh Vizion Plus mëson se Abrija do të emërohet në një tjetër post.
Dorëheqja e tij vjen pas ngjarjes së 15 dhjetorit të vitit të shkuar, ku i dënuari përjetë, Sokol Mjacaj, qëlloi me armë për vdekje brenda burgut të sigurisë së lartë një tjetër të dënuar. Bëhet fjalë për vrasjen e Arben Lleshit dhe plagosjen e një tjetër të dënuari, Indrit Shaqja.
Lexo edhe :
Related Posts
Asokohe, drejtori i burgut të sigurisë së Lartë në Peqin dha një deklaratë tronditëse për prokurorët, duke thënë se skaneri nuk punonte prej tetorit të 2023 dhe se kishte vetëm 3 apo 4 ditë që ishte vënë në funksion. Ndërsa autori Sokol Mjacaj tha se armën e kishte në qelinë e tij prej 20 ditësh, ndërsa për organin e akuzës tha se e kreu krimin atë ditë pasi mësoi se do të futej në regjimin e posaçëm 41- bis.
Po ashtu në fundvit përfundoi në pranga edhe shefi i policisë së burgut të Drenovës, Mariglen Kadiu, që e ka mbajtur të njëjtin post edhe në Burgun e Peqinit.
Megjithatë ende nuk dihet nëse heqja dorë nga detyra e Abrijës lidhet me situatat e krijuara në burgjet e vendit. Admir Abrija u emërua në 2021 nga Ministri i Drejtësisë, Ulsi Manja, duke zënë vendin e Agim Ismailit. /vizionplus.tv