Presidenti i Këshillit Evropian Donald Tusk, në një konference të përbashkët për shtyp me presidentin serb Aleksandër Vuçiç në Beograd, tha se BE synon forcimin e lidhjeve ekonomike dhe marrëdhënieve në fusha të tjera me Serbinë dhe vendet e Ballkanit Perëndimor në rrugën e tyre drejt anëtarësimit në BE.

 

“Arsyeja e vizitës sime është samiti në Sofje që do të mbahet në muajin maj. Qëllim i këtij samiti është forcimi i bashkëpunimit me Ballkanin Perëndimor. Në samitin në Sofje do të konfirmojmë gatishmërinë për perspektivën evropiane. Për të ardhmen e Serbisë nuk do të vendosë as Moska, as Uashingtoni, as Pekini, as Ankaraja”.

 

Tusk gjithashtu falenderoi presidentin Vuçiç për përpjekjet për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, e cila është përcaktuese për integrimin e Serbisë në BE.

 

Nga ana tjetër, presidenti serb u shpreh se Kosova do të jetë pengesë për integrimin e Serbisë duke nënvizuar se vendi i tij “është i gatshëm të bëjë kompromis, por nuk do të pranojë asnjë përulje”.

 

“Nëse nuk e zgjidhim këtë çështje ajo do të jetë pengesa për integrimin në Bashkimin Evropian. Vendi ynë është i gatshëm për kompromis por nuk do të pranojmë asnjë përulje”.

 

Pas vizitës në Beograd, Tusk viziton të enjten Kosovën. Ai do të takohet me presidentin Thaçi ku do të diskutojnë për takimin në Sofje më 17 maj. Ky takim do të jetë i pari i nivelit të lartë mes BE-së dhe Ballkanit Perëndimor pas 15 vjetësh.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *