Donald Trump letër liderit suprem të Iranit: Le të negociojmë për armët bërthamore

Donald Trump ditën e djeshme i dërgoi një letër liderit suprem të Iranit, Ayatollah Ali Khamenei, ku i kërkon të negociojnë një marrëveshje mbi programin bërthamor të vendit.
“I thashë se shpresoj të negociojmë, sepse do të jetë shumë më mirë për Iranin”, tha Trump në intervistën e transmetuar të premten në Fox Business Network.
“Mendoj se ata donin ta merrnin këtë letër. Alternativa tjetër është që ne duhet të bëjmë diçka, sepse nuk mund të lejosh që të ekzistojë një armë tjetër bërthamore”, shtoi presidenti amerikan.
“Nëse Irani nuk negocion, do të jetë shumë keq për të. Irani nuk mund të ketë armë bërthamore. Ka opsione të tjera”, tha Trump.
Komentet e Trump vijnë pasi administrata e tij rrit presionin mbi Teheranin përmes rinovimit të sanksioneve ekonomike dhe masave të zbatimit që synojnë eksportet e naftës të Iranit./vizionplus.tv




