Presidenti amerikan Donald Trump, pritet të miratojë publikimin e një memorandumi sekret, i cili tregon se FBI ka abuzuar me kompetencat e saj. Dokumenti pritet të dërgohet në Kongres dhe më pas do të publikohet.

 

Memoja akuzon jo vetëm FBI-në, por edhe Departamentin amerikan të Drejtësisë se kërkuan zgjatjen e afateve të përgjimit, duke përdorur Gjykatën për Mbikëqyrjen e Inteligjencës së huaj.

 

Nga ana tjetër, byroja federale, është shprehur thellësisht e shqetësuar për zbulimin e memos. Drejtori i FBI, Christopher Wray, ka kërkuar që dokumenti të mos publikohet, pasi mund të keqpërdoret dhe mund të jetë rrezik për informacionet e klasifikuara.

 

Zbulimi i dokumentit mund të sjellë pasoja të rënda, pasi çdo akuzë për veprime të njëanshme nga Byroja Federale e Hetimit, i jep presidentit arsye të kërkojë largimin e zyrtarëve të lartë të FBI-së dhe të Drejtësisë, por edhe të prokurorit të posaçëm i cili po drejton hetimet për ndërhyrjen e Rusisë në zgjedhjet presidenciale.

 

Memorandumi është shkruar nga anëtarët republikanë të Komitetit të Inteligjencës së Dhomës Përfaqësuese të Kongresit, i cili është njëherësh pjesë e 3 paneleve që po hetojnë për ndërhyrjen e Kremlinit në zgjedhje.

 

Presidenti Donald Trump ka kohë deri në fundjavë për të vendosur deklasifikimin e dokumentit, ndërsa demokratët pretendojnë se memoja është një përpjekje për të diskredituar hetimin e udhëhequr nga FBI.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *