Vetëm tre javë para referendumit të 30 shtatorit në Maqedoni, mediat greke kanë nxjerrë në dritë disa dokumente të klasifikuara të ambasadës amerikane në Shkup, të publikuara nga wikileaks.

 

Ato tregojnë se Qeveria e Maqedonisë në vitin 2008 ka qenë e gatshme të pranonte emrin Republika e Maqedonisë Veriore apo Republika e Maqedonisë së Veriut, përfshirë njohjen e gjuhës maqedonase dhe kombit.

 

Dokumenti i klasifikuar i titulluar “Për çfarë kanë nevojë maqedonasit që ta zgjidhin çështjen e emrit”, mban datën 29 korrik 2008.

 

Ambasadorja e atëhershme Millovanoviç shprehte konkluzionet e saj pas takimit me presidentin e asaj kohe Branko Cërvenkovski dhe kryeministrin Nikolla Gruevski, duke thënë se kushtet janë të pranueshme për Maqedoninë, përfshirë dhe dy emrat e propozuar.

 

Por kryeministri Zoran Zaev deklaroi se ka qenë në dijeni për komunikimet dhe kjo është një arsye më shumë për të mos bojkotuar referendumin.

 

I kam pasur bisedat që tani i ka Prokuroria Speciale Publike. Shumë qeveri janë përpjekur, edhe qeveria e mëparshme është përpjekur të gjejë zgjidhje. Një pjesë e zgjidhjeve për emrin dhe përdorimin e tij të përgjithshëm, siç njihet “erga omnes” ishte pranuar edhe për “Maqedonia e Veriut” edhe për “Maqedonia e Epërme”. Më vjen mirë që na u konfirmua tërësisht identiteti ynë, gjuha maqedonase, që ishte synim i ekipit negociues. Unë besoj se këto dëshmi që dalin në opinion janë edhe një arsye që të qëndrojmë të gjithë së bashku, të sigurojmë të ardhme të mirë për Maqedoninë.

 

Por, ish-kryeministri Nikolla Gruevski e quan shpifje dokumentin.

 

Këto janë tentime të pasuksesshme të pushtetit dhe sigurisht do të ketë edhe shumë të tjera. Ata tani janë në fushatë: do të dëgjojmë marrëzira të llojllojshme. Është e qartë se përse jam në Gjykatë dhe përse më bëhet kjo përndjekje politike. Të kisha arritur marrëveshje Me grekët, tani do të këndohej këngë tjetër.

 

Pas publikimit te dokumentit ka reaguar edhe Ministria e Jashtme Greke e cila beri te ditur se Gruevski nuk donte asnjë zgjidhje për emrin, por ai tallej me ndërkombëtarët.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *