Subscribe

Lobimet e partive shqiptare në Shtetet e Bashkuara të Amerikës për të rritur pikët përtej oqeanit janë të shumta, madje edhe skandalet dhe dritëhijet nuk kanë qenë të pakta.

 

Ndër vite, pothuajse të gjitha partitë kanë paguar shuma të majme në firma lobimi, për të negociuar takime në SHBA apo qoftë dhe vetëm për të marrë mbështetje të disa senatorëve.

 

Por, edhe pse një praktike normale, ish-ambasadori Donald Lu në intervistë në fundit të dhënë përpara largimit, përballe gazetarit Sokol Balla, në Real Story ngriti pyetjen që do duhet ta bënin të gjithë mbeshtetësit e partive politike shqiptare.

 

“Tani, nëse une do të isha anëtar i LSI, PD apo PS, do pyesja veten se përse udhëheqësit e tyre nuk mund të kenë komunikim të drejtëpërdrejtë apo kontakte me udhëheqësit amerikane por duhet të paguajnë për këtë duke përdorur këta lobistë. Por ky jam unë. Është tërësisht ligjore, për sa kohë e deklarojnë dhe nuk shkelin ligjin amerikan”. 

 

Por historia e lobimeve vijon nga partitë shqiptare dhe duket se më aktive është Partia Demokratike. Edhe pas hijeve të dyshimit të publikuara pak kohë më parë nga Mother Johns, mbi lidhjet e mundshme me Rusinë dhe hetimit të nisur tani me ndaj Lulzim Bashës dhe zyrtarëve të tjerë të kësaj partie lidhur me këtë çështje, selia blu vijon të paguaj kompani lobuese në SHBA. Këtë herë ajo i ka besuar paratë e saj Sonoran Policy Group.

 

Një firmë lobuese, e cila me një kontroll të shpejtë në internet, është qartë mbeshtetëse dhe e ngritur nga njerezit pranë Presidentit Donald Trump. Deri këtu gjithçka është korrekte, por situata komplikohet pas publikimit të të dhënave të fundit të kësaj firme, mbi shërbimet që ajo ka kryer në interes të Partisë Demokratike të Shqipërisë, shërbime për të cilat ajo është paguar 40 mijë dollarë.

 

Në muajin Gusht 2018, e nominuara për ambasadore të re në Shqipëri Kathleen Kavalec, pritej të dilte përpara Senatit në seancën degjimore përpara nominimit. Edhe pse ishte parashikuar në datë 16 Gusht, seanca nuk u zhvillua asnjëherë. Në atë kohë Vizion Plus pyeti zëdhënësin e senatorit amerikan Bob Corker kreu i komitetit për marrëdhëniet me jashtë i cili dha këtë përgjigje:

 

 “Vumë re se një numër i anëtarëve të komisionit po kërkojnë informacione shtesë. Ne do të rishohim në një seancë për të nominuarin që do të shërbejë si ambasador në Shqipëri sa më shpejtë të jetë e mundur”. 

 

Në të njëjtën periudhe, siç raporton vet firma lobuese Sonoran Policy Group, kjo e fundit ka nisur një fushate email-esh dhe telefonatash për llogari të Partisë Demokratike, ku subjekti i bisedave është korrupsioni në Shqipëri, siguria, narko terroizmi, por dhe nominimi i Ambasadores Kavalec.

 

Rezulton që nga data 5 gusht deri ne 10 tetor, lobuese Christian Bourge ka kryer 11 veprime për llogari të Partisë Demokratike, me subjekt edhe nominimin e ambasadores Kavalec. Personat e kontaktuar janë, senatoret Ron Johnson, John Barraso dhe Rob Portman, të tre Republikan dhe të tre pjestare të Komisionit për Marrëdhënie me jashtë, përpara të cilit Kavalec do të fliste.

 

Po ashtu, Bourge ka kontaktuar dhe dy punonjëse të këtij Komision, për të cilat është interesuar specifikisht mbi ambasadoren Kavalec. Respektivisht një kontakt përpara seancës së planifikuar dhe një tjetër disa ditë pas saj. Vizion Plus ka kontaktuar të gjithë zyrtarët, emrat e të cilëve janë të përmendura në dokumenetet e “Sonoran Policy Group”, por asnjëri prej tyre nuk ka preferuar të komentoi asnjë nga çështjet të cilat janë diskutuar.

 

Ndërkaq, Partia Demokratike, e kontaktuar nga Vizion Plus ka shpjeguar se lobimi ka patur si qëllim çështjet e narkotrafikut, krimit të organizuar dhe kapjes së shtetit, probleme të cilat ishin ngritur me nota shumë serioze në raportin e Departamentit të Shtetit për Strategjinë e Kontollit të Narkotrafikut Ndërkombëtar për vitet 2017 dhe 2018.

 

 “Me senatorët e Komisionit të Jashtëm është diskutuar për ngritjen e këtyre problemeve në seancën dëgjimore me ambasadoren e emëruar dhe nxitjen e saj për të bërë prioritet të punës së saj në Tiranë luftën kundër narkotrafikut, krimit të organizuar dhe korrupsionit.”

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *