Do trafikonin të miturën në Greqi për prostitucion, 7 të arrestuar

Policia e Maliqit në bashkëpunim me atë të Korçës ka finalizuar me sukses operacionin e koduar “Zereci”, nga ku u arrestuan në flagrancë 7 shtetas dhe një tjetër u shpall në kërkim.
Shtetasit e arrestuar janë:
R.L, 33 vjeç, banues në Drithas, Maliq, (i dënuar më parë në Greqi për veprat penale “Vjedhja me dhunë”, “Vjedhja me armë”, vepra penale këto të kryera në kuadrin e organizatës kriminale);
M.F, 37 vjeç, banues në Kakaç, Maliq;
E.B, 34 vjeç, banues në Petrushë, Pogradec;
R.M, 29 vjeçe, banuese në Kakaç, Maliq;
E.K, 26 vjeç, banues në Zerec, Maliq;
O.M, 39 vjeç, banues në Zerec, Maliq;
Ç.F, 36 vjeç, banues në Kakaç, Maliq (i dënuar më parë për vjedhje) për veprën penale “Përkrahja e autorit të krimit”;
Ndërsa është shpallur në kërkim shtetasi: L.P, 28 vjeç, banues në Shelcan, Elbasan.
Nga hetimet e kryera është provuar nga ana e policisë se shtetasit R.L, M.F, E.B, R.M dhe L.P, kishin planifikuar të trafikonin për qëllim prostitucioni në drejtim të Greqisë një shtetase të mitur.
Gjithashtu shtetasit R.L, M.F, E.K dhe O.M, në bashkëpunim me njëri-tjetrin, kanë kultivuar bimë të dyshuara Cannabis Sativa, në territorin e fshatit Zerec, Maliq, të cilat u asgjësuan gjatë operacionit dhe një pjesë u sekuestrua në cilësinë e provës materiale.
Gjatë këtij operacioni janë sekuestruar gjithashtu, 1 armë zjarri tip pistoletë, 1 armë e ftohtë (thikë) e ngjashme me ato të Forcave të Ushtrisë, 2 granata dore ofensive dhe difensive, një sasi fishekësh luftarakë, lënde e dyshuar narkotike Cannabis Sativa, një sasi lekësh, dollarësh dhe eurosh, si edhe një automjet tip “Benz”.




