Kryetari i PD Sali Berisha vizitoi një prej bizneseve fason në kryeqytet për të shpjeguar programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore për sipërmarrjen.
Berisha premtoi uljen e çmimit të energjisë elektrike në 6 lekë për biznesin dhe kompensimin e sipërmarrjeve për zhvlerësimin e euros, fenomen të cilin e kanë vuajtur kryesisht fasonet.
“Unë u garantoj ju se do kompensojmë çdo qindarkë të humbur në euro”, tha Berisha.
Berisha kritikoi rivalin politik Rama që e ka ndërtuar fushatën mbi bazën e takimeve me vajzat e gratë; por sipas tij la pa mbështetje biznesin fason i cili në masën dërrmuese punëson gra.
“Tani ky zotëri që bën xhiro dhe mbledh gratë e administratës me detyrim kudo që shkon, a mund t’u thotë atyre se pse nuk ndihmoi me qindtra ndërmarrje fason që punësonin qindra gra e vajza dhe mbanin familjet e tyre, por i la të falimentonin dhe ato të largohen ose të jetojnë në varfëri, ose të marrin rrugët e dheut në emigracion”, u shpreh ai.
Kryetari i PD Berisha u bëri apel mbështetësve që në dy javët e fundit para zgjedhjeve të takojnë çdo qytetar për tu shpjeguar programin e Aleancës për Shqipërinë Madhështore.
“E kemi thënë dhe e themi, ne do vendosim minimumin jetik për çdo pensionist me pension nën 200 euro, për çdo të papunë, për çdo njeri në ndihmë ekonomike, për çdo fëmijë me një prind dhe për studentët me bursë. Në këtë mënyrë japim një frymëmarrje më të madhe. Do rimbursojmë 100 përqind listën e ilaçeve që rimburson republika italiane”, deklaroi kreu i PD-së.
Pas takimit në biznesin fason, kryetari i PD Berisha u nis drejt Spanjës ku do të marrë pjesë në kongresin e Partisë Popullore Evropiane.
/vizionplus.tv





