“Do të legalizojmë çdo banesë”, Berisha: “Paqja fiskale” e Ramës synon të favorizojë krimin
Me ardhjen në pushtet të Partisë Demokratike pas 11 majit, Sali Berisha premton legalizimin e çdo banese në zonën e Laprakës.
“Nuk thotë njeri që unë nuk kam mbajtur ndonjëherë fjalën, por jam këtu për t’u zotuar para jush se në mënyrë absolute asnjë banesë e juaja nuk do të preket dhe se do ketë legalizim të plotë total dhe pastaj urbanizim. Legalizim dhe pastaj urbanizim. Ky është parimi që ndjekim ne. Ndaj dhe atyre që ua kanë prishur… nuk harroj unë betejat tuaja për shtëpitë tuaja, edhe ata do dëmshpërblehen sipas këtij parimi.”
Gjatë takimit elektoral me banorët e Laprakës, Berisha e akuzoi kryeministrin Edi Rama se përmes paqes fiskale që prezantoi për biznezet synon të favorizojë botën e krimit.
“E dëgjuat dje, paqja fiskale, çfarë është paqja e tij fiskale? Paqja e tij fiskale është amnistia, është parajsa për botën e krimit, është ndëshkim për ju qytetarë të dashur. Ua shpjegoj unë si është puna. Ky, dy vite më parë filloi reklamoi me të madhe amnistinë fiskale, kur nuk kishte asnjë synim tjetër veçse të sillte paratë e drogës, të klaneve mafioze, të vinin në Shqipëri dhe të ndërtoheshin kulla siç po ndërtohen. Natyrisht BE e diktoi këtë. Kjo ishte një inkurajim i tmerrshëm i krimit. Në sallën e gjyqit në Belgjikë, trafikanti deklaroi sipas televizionit belg, se vetë kryeministri më kishte premtuar se do mund të investoja paratë në Shqipëri. Tani thotë paqja fiskale. Ai vetë është në paqe dhe bashkëpunim të ngushtë me ta. Por unë i garantoj atje ku janë se asnjë qindarkë, asnjë dollarë, asnjë euro nuk do mund të sjellin në Shqipëri.”
Sali Berisha përsëriti se nëse bëhet kryeministër, do të falë çdo gjobë të vendosur për qytetarët dhe se për familjet e bizneset do të ulë çmimin e ujit dhe të energjisë elektrike.




