Subscribe

Kuvendi i Shqipërisë është njohur zyrtarisht me shkresën e Gjykatës së Posaçme anti-korrupsion, e cila kërkon të marrë në pyetjet personin në hetim Sali Berisha, për aferën e kompleksit Partizani.

Dokumenti i është dorëzuar parlamentit, të Shqipërisë me qëllim që Berisha të marrë dijeni mbi hetimin që po zhvillohet ndaj privatizimit të ish-Kompleksit Sportiv.

Njëkohësisht, kjo shkresë i është nisur Selisë së PD dhe shtëpisë së ish- kryeministrit, por njoftimi sipas zyrës së shtypit të Gjykatës së Posaçme është kthyer mbrapsht me nënshkrimin “Refuzuar”.

Ndaj liderit të opozitës, gjykata ka caktuar masën e sigurisë së Detyrimit për tu paraqitur në policinë gjyqësore, të hënën e parë dhe të tretë të çdo muaji. Por Berisha ka refuzuar të paraqitet deri tani me pretendimin se duhet marrë më parë autorizimi i parlamentit.

Nuk dihet ende nëse prokurorët e çështjes, Arben Kraja dhe Enkeleda Millonai do të kërkojnë një masë shtrënguese më të rënde ndaj Sali Berishës. Të hënën avokatët e ish-kryeministrit depozituan në gjykatë ankimimin e masës së sigurisë, duke kërkuar ndryshimin e saj.

Spak argumentoi se ish-kryeministri ka ushtruar presion, ka dhënë urdhra konkretë dhe nxjerrë akte nënligjore për të favorizuar dhëndrin e tij Jamarbër Malltezi në privatizimin e ish-kompleksit sportiv, Partizani.

Sipas SPAK, Berisha ka kryer veprën penale të “Korrupsionit pasiv të funksionarëve të lartë shtetëror ose të zgjedhurve vendorë”. Ndërkohë dhëndri tij është në qeli për të njëjtën çështje.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *