I mituri, i cili ndodhet në një institucion të ekzekutimit të vendimeve penale për të mitur, tregoi në një intervistë me gazetaren Elona Gjylmin se koha e kaluar në këtë institucion i ka ndryshuar rrënjësisht mënyrën e të menduarit dhe të jetuarit.
Siç rrëfen ai, pjesë e aktiviteteve ditore është edhe mirëmbajtja e ambientit të institucionit, ku ai dhe bashkëmoshatarët kanë punuar për të krijuar një hapësirë të gjelbër e të kuruar.
I mituri me pendesë dhe reflektim tha se sapo të dalë do të përfundojë shkollën dhe do të nisi universitetin.
Në një mesazh të qartë për bashkëmoshatarët, ai theksoi se duhet të qëndrojnë pranë familjes dhe të mos ndërmarrin veprime të nxituara.
Pjesë nga biseda:
Elona Gjylmi: Si e mendon momentin kur të dalësh? Ke tre certifikata, ke disa profesione. Mendon se do i ushtrosh ato, apo do vazhdosh shkollën?
I mituri: Së pari do vazhdoj shkollën se nuk duhet ta lë. Të mbaroj shkollën e pastaj të vazhdoj punën.
Elona Gjylmi: Je në vitin e fundit të shkollës së mesme?
I mituri: Po, jam maturant.
Elona Gjylmi: Ke menduar ndonjë degë që do të vazhdosh për fakultet?
I mituri: Kam me dëshirë ekonomi financë, por të shohim edhe mundësitë.
Elona Gjylmi: Një ditë e jotja këtu si është?
I mituri: Është ndryshe pothuajse edhe nga liria, por edhe jemi përshtat shumë. Edhe koha e gjatë që jemi këtu. Merremi me pjesën e mirëmbajtjes këtu para.
Elona Gjylmi: I gjithë ky oborr i bukur është vepër e juaja?
I mituri: Po, e bëjmë vet ne. Pjesa më e madhe nga të dënuarit, por edhe të paraburgosurit përfshihen.
Elona Gjylmi: E mësove këtu si të bësh kopshtarin? E dije më para?
I mituri: Këtu, edhe na u bë edhe si pasion. Madje edhe si terapi.
Elona Gjylmi: Një mesazh për të gjithë moshatarët e tu, të rinjtë?
I mituri: Mos të marrin për sipër veprime të nxituara. Ti qëndrojnë pranë familjes se edhe vetë kemi bërë gabime. Mos të bëjnë veprime të gabuara.
Elona Gjylmi: Çfarë do bësh ndryshe kur të dalësh?
I mituri: Asgjë që kam bërë më para nuk do bëja. Çdo gjë ndryshe.
/vizionplus.tv





