Subscribe

Ndërsa mijëra delegatë ishin mbledhur në kuvendin e jashtëzakonshëm për të shkarkuar kryetarin e partisë demokratike, Lulzim Basha vendosi të festojë në seli 31-vjetorin e themelimit të partisë.

 

Në këtë përvjetor disa të rinj te forumit rinor zbuluan edhe një instilacion me firmat e atyre që themeluan partinë në 1990.

 

I rrethuar nga një grup anëtarësh, Basha tha se misioni I partisë është largimi I regjimit grabitqar të votës së 25 prillit.

 

Ndaj çdo përpjekje për të na ndalur në këtë rrugë, për të na tërhequr anash nga përballja frontale me rrezikun e jashtëzakonshëm që paraqet regjimi grabitqarë i lindur nga masakra e 25 prillit, është dhe duhet të jetë e shkuara. Sot, ne jemi këtu dhe unë jam këtu për të konfirmuar në emrin tuaj dhe të mijëra demokratëve anembanë Shqipërisë se e shkuara nuk mund dhe nuk do të na pengojë në misionin tonë për të ardhmen e Shqipërisë. Se duke nisur që nga ky moment, e deri në realizimin e objektivit tonë parësorë për t’i çelur rrugën europiane të Shqipërisë që është largimi i regjimit anti-perëndimorë, anti-demokratik, anti-drejtësi, të Edi Ramës, ne të gjithë bashkë do të vazhdojmë përpara dhe vetëm përpara.

 

I vënë shpesh herë në qendër të akuzave për mungesën e mendimit ndryshe në parti, Basha I bëri një ftesë të gjithë anëtarëve të mos thyejnë tre vlerat themelore të demokratëve

 

Kjo ftesë i drejtohet edhe atyre që gabueshëm kanë menduar se kjo parti e kanë humbur rrugën e vet dhe mund të tentojë rrugë të pashkelura nga partitë që i shërbejnë demokracisë apo se mund të tentojë të thyej ADN-në tonë ku ndërthuren njëra me tjetrën liria, demokracia, orientimi pro perëndimor dhe interesi kombëtar i shqiptarëve. Këto 3 vlera themelore të demokratëve, këto 3 vlera themelore me të cilët lindëm, janë të paprekshme, siç është i paprekshëm mendimi i lirë, mendimi ndryshe, i cili do të derdhet në dialogun kombëtar të Kuvendit Kombëtar të demokratëve të shtunën, 18 dhjetor në Pallatin e Kongreseve këtu në Tiranë.

 

Në përfundim të fjalës së tij, Basha pranoi se kjo është një ditëlindje e thyer, për shkak se sipas tij, po vendoset interesi individual mbi atë të demokratëve.

 

11 dhjetori i sotëm, është një ditëlindje e thyer për shkak të shkelmimit të një vlere, vendosjes së interesit personal mbi interesin e demokratëve, mbi interesin e Shqipërisë, mbi interesin kombëtar. Por e dimë që ditëlindje, jo çdo ditëlindje shkon ashtu siç e duam, por ne mësojmë dhe ecim përpara. Me zemrën e hapur, për këdo që ka gabuar por që ka motive të pastra, me vendosmërinë për t’i thënë kujtdo jashtë radhëve tona politike, jashtë familjes tonë politike apo që instrumentalizohet brenda familjes tonë politike nga ata që e duan Partinë Demokratike të përçarë, nuk do t’ia dilni, ne jemi të bashkuar e do të vazhdojmë të bashkuar deri në përfundimin e misionit tonë: Fitoren e Partisë Demokratike, fitoren e demokracisë, fitoren e Shqipërisë si Gjithë Europa.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *