Me 22 shtator do të kufizohet lëvizja e automjeteve në disa rrugë kryesore në kryeqytet, pasi Tirana i është bashkuar “Javës Europiane të Lëvizshmërisë”, e cila synon ndërgjegjësimin e qytetarëve për të përdorur sa më pak mjetet që ndotin ambientin.

 

Gjatë Ditës pa Makina, në disa segmente rrugore të Tiranës do të ndalohet qarkullimi i automjeteve duke i vënë rrugët në shërbim të qytetarëve dhe promovuar aktivitete mjedisore dhe kulturore.

 

Kufizime do te ketë përgjatë rrugës ‘’Kont Urani’’, segmenti nga “rruga Durrësit’’ deri tek rruga ‘’Mihal Duri’’, do të zhvillohet një minipanair libri me botime mjedisore dhe jo vetëm. Ndërkohë që rruga ‘’Luigj Gurakuqi’’ deri tek sheshi ‘’Avni Rustemi’’, do të shërbejë për promovimin e mjeteve ekologjike të transportit. Ndërkohë që disa rrugë në zonën e Ish Bllokut do të kthehen në hapësira shërbimi për njerëzit.

 

Nderkohe gjatë kësaj jave do të ketë dhe aktivitete të tjera. Më 18 shtator Qendra Multifunksionale TEN, ku Bashkia Tiranë në bashkëpunim me REC Albania, do të organizojnë takimin tematik ‘’Transporti ekologjik në Tiranë’’.

 

Më 19 Shtator te Reja do të jepen shfaqje filmash me temë “Transporti i qëndrueshëm dhe mjedisi në përgjithësi”, ku të pranishëm do të jenë përfaqësues të OJF-ve, përfaqësues të shoqërisë civile, trup diplomatik e qytetarë të tjerë.

 

Më 20 shtator përgjatë bulevardit “Dëshmorët e Kombit” do të organizohet gara me biçikleta me nxënësit e shkollave 9-vjeçare të Tiranës, ku për fituesit do të shpërndahen dhe çmime simbolike.

 

Gjatë 21 shtatorit të rinjtë e shkollave të mesme të Tiranës do të zhvillojnë vizita edukative tek laboratori i Agjencisë Kombëtare të Mjedisit për monitorimin e parametrave mjedisorë.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *