Tirana është përzgjedhur si organizatore e Konferencës së 15-të Botërore të Komisionerëve për të Drejtën për Informim, eventi më i madh për informim. Komisioneri për Mbrojtjen e të Dhënave Personale, Besnik Dervishi, së bashku me kryebashkiakun Erion Veliaj, zhvilluan një takim me përfaqësues të Zyrës së Këshillit të Evropës në Tiranë.Veliaj u shpreh se Tirana është përzgjedhur si një nga qytetet më transparente.

 

“Ky qytet sot është bërë një model i Open Data. Sapo u kthyem nga Talini, ku Tirana ishte përzgjedhur si një nga qytetet më transparente. Ndoshta, transparenca s’mbaron kurrë, është si ai mali që sa ke hipur në një majë, maja e atij mali është rrëza e një mali tjetër, akoma edhe më të lartë. Ndaj, jam i sigurt se në çdo majë mali, ka edhe një majë tjetër më të lartë. Por, fakti që sot Tirana është në këtë situatë, unë besoj se duhet të na bëjë të ndihemi krenarë dhe jo të tutemi nga ata armiq të transparencës dhe të së drejtës së informacionit, ose keqpërdorues të të dhënave, qofshin këta të huaj, qofshin vendas,” përfundoi Veliaj.

 

Ndërsa komisioneri për të Drejtën e Informimit Besnik Dervishi, tha se të jesh në gjendje të informosh veten lirisht është një kusht i domosdoshëm për të qenë në gjendje të mendosh në mënyrë demokratike.

 

“Ne për vitin që vjen kemi aplikuar dhe jemi përzgjedhur si organizatorë të Konferencës së 15-të Botërore të Komisionerëve për të Drejtën për Informim, që është eventi më i madh në rang botëror për sa i përket të drejtës për informim. Bashkinë e Tiranës nuk e duam vetëm mbështetëse, por e duam edhe partnere, sepse të vetëm ne nuk mund ta organizojmë këtë konferencë, ashtu siç kemi pasur fatin edhe në Konferencën Botërore të Komisionerëve për Mbrojtjen e të Dhënave në vitin 2019, ku me Bashkinë e Tiranës organizuam një konferencë perfekte, që edhe sot mbahet si konferenca më e mirë e organizuar të paktën në 10 vitet e fundit”,

 

Kryebashkiaku Erion Veliaj garantoi se ndonëse disa të dhëna keqpërdoren do të vijohet me inkurajimin për të drejtën e informimit.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *