Presidenti Ilir Meta këtë të martë në kuadër të Ditës Ndërkombëtare të të Moshuarve, është takuar me të moshuarit.

 

Kreu i shtetit në bashkëbisedim me të moshuarit ka theksuar domosdoshmërinë që shoqëria jonë, në shembullin e Shenjtores Nënë Tereza, të kujdeset me më shumë dashuri dhe vëmëndje për pjestarët e saj.

 

“Përkujdesja dhe vëmendja ndaj sfidave dhe problematikave me të cilat përballen të moshuarit është detyrim i të gjithë shoqërisë sonë. Shoqëria jonë, veçanërisht brezi i ri, jo vetëm duhet të mësojë nga eksperienca juaj, por duhet t’i investojë këto përvoja në edukimin e brezit të ri, me ndjenjën e punës, të ndershmërisë, përgjegjshmërisë e seriozitetit, por edhe me ruajtjen e forcimin e ndjenjës sonë kombëtare”.

Presidenti Meta, ndër të tjera ka theksuar se tashmë problemi më i madh është mbajtja e të rinjve në vendin tonë, sepse largimi i tyre masiv do të sjellë pasoja katastrofike për shoqërinë në të ardhmen.

 

Gjithashtu, kreu i shtetit theksoi se në këtë ditë të të moshuarve duhet të vlerësojmë edhe rolin e tyre në familje dhe në shoqëri.

“Gjyshërit janë shpesh mbështetje e madhe për nipërit dhe mbesat e tyre, jo vetëm me kujdesin në rritjen e tyre, por edhe me edukimin e transmetimin e eksperiencave jetësore. Por nga ana tjetër, të moshuarit kanë nevojë për mbështetjen e familjes e të fëmijëve të tyre, veçanërisht në situata të vështira e në pamundësi shëndetësore”.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *