Sot besimtarët bektashianë festojnë ditën e Sulltan Nevruzit e cila shënon ditëlindjen e Imam Aliut, dhëndrit të profetit Muhamed dhe një prej shenjtorëve më të mëdhenj të të gjitha kohërave. Imam Aliu është i pari i besimtarëve i pajisur me dituri hyjnore nga vetë Profeti: “Unë jam qyteti i diturisë dhe Aliu është porta e tij.”

 

Kjo ditë ndryshe është quajtur dita e ringjalljes dhe shpresës, në të cilën të gjithë besimtarët shpresojnë për një të ardhme më të mirë. Për bektashinjtë, dita e Sulltan Nevruzit konsiderohet dita më e rëndësishme dhe është dekretuar si festë kombëtare në vitin 1996 ndonëse festohej që në shekullin e XVI-ë në vendin tonë. Tradicionalisht, Nevruzi nis pas ekuinoksit të parë që simbolizon ardhjen e stinës së pranverës.

 

Fjala “Nevruz” vjen nga persishtja dhe do të thotë “dita e re” ndërsa “sulltan”, është titull i lartë i cili tregon dhe vet rëndësinë e kësaj dite. Poeti Naim Frashëri ka shkruar për këtë ditë të shenjtë: “Sot është një ditë e re që përsëritet moti, lind Vera, lind ngrohtësia, lind Aliu, lind vet Zoti.”

 

Ritet dhe zakonet e kësaj feste

 

Besimtarët gostiten me ëmbëlsira të shumëllojshme, për të treguar dashurinë që kanë për njëri-tjetrin dhe bujarinë e tyre. Ata duhet të ndihmojnë të varfrit dhe personat që janë në vështirësi duke ju falur ushqime ose të ardhura. Nëse nuk kanë mundësi ta bëjnë këtë, duhet të luten për njerëzit që vuajnë. Në këtë ditë feste bektashinjtë mbjellin lule në shtëpitë e tyre ose bimë të tjera.

 

Vendosin nëpër portat e shtëpive degë thane ose ulliri. Një rit interesant është dhe varja e veroreve të Ditës së Verës në degët e trëndafilit ose të shegës. Në mëngjes duhet pirë qumësht dhe duhet bërë sherbet, sepse këto dy pije quhen pije parajse. Në këtë ditë bektashinjtë gatuajnë disa ushqime karakteristike, të cilat janë trashëguar brez pas brezi. Për Sulltan Nevruz bektashinjtë gatuajnë byrek me 12 lloje të ndryshme barishtesh. Bimët e tokës kanë një rëndësi të veçantë, sepse simbolizojnë jetën e re, që çel në pranverë dhe begatinë. Në byrek futet edhe një monedhe metalike. Pasi është pjekur byreku ndahet nga amvisa e shtëpisë në pjesë dhe i jepet secilit prej anëtarëve të familjes.  Ai që gjen monedhën thuhet se do të kalojë një vit të begatë./Living/

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *