Dita e Pavarësisë/Meta: Emigracioni kambanë alarmi, dialog mes politikës

Festa e Flamurit dhe Dita e Pavarësisë ka bërë bashkë në Pallatin e Brigadave politikën, përfaqësues të komuniteteve fetare dhe diplomatë të huaj.
Kreu i Shtetit Ilir Meta në fjalën e tij i ka bërë apel politikës se duhet të bashkëpunojë për funksionimin sa më të mirë të shtetit ligjor.
Të pranishëm në këtë ceremoni ishin kryeparlamentari Gramoz Ruçi, kryeministri Edi Rama dhe gruaja e tij, Linda Rama, ministra dhe deputetë.
Ndër të tjera në fjalën e tij në këtë ditë të shënuar për të gjithë kombin shqiptar presidenti Meta është ndalur dhe tek çështje e emigracionit, ku ka theksuar se Shqipëria duhet të zgjidhë sa më parë këtë çështje.
“Nëse historia në mënyrë të padrejtë tentoi të na ndante, populli shqiptar arriti që të mbijetonte dhe të afirmohet. Kohët kanë ndryshuar, por parimet që lanë pas që nga Skënderbeu dhe Ismail Qemali janë apeluese dhe aktuale edhe sot. Kthimi i Shqipërisë në familjen Europiane është një mision i papërmbushur. Ne shqiptarët jemi ndër popujt me nivelin më të lartë të emigracionit në botë, por ia kemi dalë të trashëgojmë traditat. Shqipëria duhet të zgjidh çështjet e emigracionit. Kjo është kambanë alarmi për klasën politike për të krijuar kushte për të rinjtë. Sfidat kërkojnë bashkëpunim për një klimë politike konstruktive, ku të drejtat njerëzore duhet të jenë prioritet i të gjithëve”





