Në ditën e fundit të fushatës brenda PD, Lulzim Basha ka një premtim elektoral për demokratët, ai nuk do t’i njohë zgjedhjet e 25 prillit. Gjatë takimeve në Peqin e Paskuqan Basha ka deklaruar se askush nuk mund të mohojë se zgjedhjet parlamentare ishin një masakër elektorale.

 

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

“Përgjigja ime ka qenë dhe mbetet nga detyra e kryetarit të Partisë Demokratike prej ditës së parë që as nuk e njoh, as nuk e pranoj tjetërsimin e vullnetit të shqiptarëve me 25 prill dhe rezultatin e manipuluar të 25 prillit. As e njoh dhe as nuk e pranoj si të ligjshëm asnjë institucion të dalë nga kjo masakër, sikundër nuk mund të pranoj kurrsesi që të bëhem pjesë e kësaj masakre duke kapur njërën nga dy duart e Edi Ramës, atë që gjoja shtrin për bashkëpunim ndërkohë që me dorën tjetër ka intensifikuar goditje ndaj demokratëve dhe ndaj mbështetësve tanë kudo anembanë Shqipërisë.”

 

Ndërsa Agron Shehaj ka takuar demokratët e Pukës, Dibrës e Vaut të Dejës të cilëve u ka premtuar se anëtari i PD do të ketë pushtetin për të vendosur kandidatët për deputet dhe për bashkitë e vendit. Shehaj ka theksuar se një lider që ka humbur disa herë nuk mund të çojë Pd drejt fitores.

 

 

AGRON SHEHAJ

KANDIDAT PER KRYETAR, PD

“Bilanci i 8 viteve opozitë është negativ për lidershipin e Partisë Demokratike. Demokratët më 13 qershor ju takon të vendosin nëse do të ndryshojnë lidershipin për të ndryshuar partinë dhe nesër gjithë Shqipërinë.”

 

Dy ditë para se demokratët të vendosin për njeriun që do t’i drejtojë në 4 vitet e ardhshme komisioni zgjedhor ka printuar listën e anëtarëve të partisë që do të votojnë të dielën.

 

Kërkesa e kandidatëve për të marrë listën e votuesve përfundimisht është refuzuar nga komisioni, por përfaqësuesit e tyre kanë marrë pjesë në mbledhjen ku kjo listë është printuar për t’iu shpërndarë degëve.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *