Subscribe

Duket se vizitat e shkurtra në “Air Albania” stadium, aty ku prej të hënës po zhvillohet vaksinimi do të përbëjë gjatë ditëve të para të procesit ndalesat e para të kryeministrit Edi Rama. Mëngjesi e gjeti kreun e qeverisë në mjediset e stadiumit, ku në pritje për t’u vaksinuar ishin epidemiologët nga Tirana, Durrësi, Kruja dhe Kavaja, kryesisht ekipet e terrenit që kanë shërbyer për identifikimin e qytetarëve të infektuar.

 

Dita e dytë parashikon të njëjtin numër mjekësh për vaksinim. 60 bluza të bardha do të marrin dozën e parë të vaksinës Pfizer-BionTech.

 

Për komitetin teknik të ekspertëve, ekziston mundësia që brenda një dite numri i personave që vaksinohen të jetë shumëfish më i lartë, nisur nga e dhëna që në mjediset e arenës kombëtare janë vendosur 60 pika vaksinimi.

 

“Nuk kemi asnjë dozë të humbur, pra çdo flakon që hapet duhet të përdoret brenda 2 orësh këtu. Ne mund të vaksinojmë deri në 600 veta brenda ditës. Shumë shpejt nisim edhe me të moshuarit”, tha Silva Bino.

 

Njëherësh me mjekët, pritet të nisë edhe injektimi i vaksinë, gjithnjë sipas dëshirës te moshat e thyera, mbi 75 vjeç.

 

“Të moshuarit do të fillojnë menjëherë te shtëpitë e të moshuarve. Pra do bëjmë një vaksinim të kombinuar sipas protokolleve”, u shpreh Manastirliu.

 

Në përfundim të ditës së parë të vaksinimit, ekipet përgjegjëse për ruajtjen dhe përdorimin e vaksinë, thonë se nuk ka shkuar dëm asnjë dozë.

 

Para se të largohej, kryeministri Edi Rama i garantoi epidemiologëve në pritje për të marrë dozën e parë të Pfizer-Biontech se vaksina është e sigurtë.

 

Edi Rama ishte qytetari i dytë që bëri vaksinën, jo sepse futet në grupet e rrezikut, por për ti dhënë përgjigje të gjithë debatit deri në kufijtë e absurdes mbi efektet e këqija të vaksinës.

 

Pas rreth 1 mijë dozave të dhuruara nga një vend i Bashkimit Evropian, i njëjti pritet të sjellë gjatë kësaj jave edhe 2 mijë doza të tjera. Në pritje janë ardhja e një pjesë të dozave të siguruara drejpërdrejt nga kompania Pfizer-Biontech, partia e parë me mbi 10 mijë në javën e tretë të Janarit dhe mbi 30 mijë në Shkurt.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *