Dita botërore e kancerit, mjekët: Kujdes stilin e jetesës, mos neglizhoni kontrollet
Jeta sedentare, kequshqyerja, ndotja, janë disa nga arsyet kryesore që vit pas viti po shtojnë rastet me kancer.
Mjekja onkologe, Anila Pema tregon më shumë për shkaktarët që sjellin shtimin e rasteve të kësaj sëmundje të rëndë.
“Kanceri i gjirit vazhdon të mbetet më i shpeshtë te gratë me një trend rritës nga viti në vit, kanceri pulmonar vazhdon të jetë një nga sfidat e trajtimit, që janë persona duhanpirës. Tumore të tjera janë edhe kanceri i stomakut. Shkaktarët janë të shumëllojshëm, shkaqet janë gjenetike, stli i jetës, ndotja, ushqimi, aktiviteti fizikik anamneza familjare. Duke qenë se shoqeria shqiptare është duke u moshuar, kanceri vjen në rritje, mosha është faktori kryesor”, tha mjekja Pema.
Sot në ditën botërore të kancerit, mjekët bëjnë thirrje që qytetarët të tregohen më të kujdesshëm, dhe të mos i neglizhojnë kontrollet periodike.
“Ajo që ngelet krysore në luftën kundër kancerit është kapja e hershme e sëmundjes, parandalimi nëpërmjet mundësive që kemi, mamografia, paptesti, depistimi etj”, tha Pema.
Kanceri është ndër faktorët kryesorë të vdekjeve në mbarë botën, duke shkaktuar 8.2 milion vdekje në vit./vizionplus.tv




