Parku Kombëtar i Lurës u përfshi nga flakët pasditen e kësaj të marte. Kjo mobilizoi menjëherë helikopterin Cougar dhe forcat zjarrfikëse, të cilat zbarkuan në terren për të parandaluar përhapjen e flakëve. Lajmi u konfirmua nga Ministri i Mbrojtjes, Niko Peleshi, i cili përmes një statusi në Facebook bëri të ditur se situata është serioze për shkak të terrenit të vështirë dhe erës. Megjithatë, shtëpitë janë të mbrojtura dhe po punohet intesivisht për të shuar të gjitha vatrat e zjarrit.
Ndërsa më herët gjatë ditës Peleshi për mediat u shpreh se në total gjatë sezonit të verës u shënuan gjithsej 465 vatra zjarri. Pavarësisht rrezikut, fatmirësisht nuk ka patur të lënduar.
NIKO PELESHI
MINISTER I MBROJTJES
“Këtë vit mbrojtja civile ka funksionuar më së miri dhe kemi menaxhuar me sukses 465 vatra zjarri dhe kemi ruajtur objektivin primar nuk kemi asnjë jetë të humbur, kemi ruajtur pronat e shqiptarëve kemi ruajtur një pjesë të madhe të sipërfaqeve të pyjeve. Në Vlorë, Dibër dhe Fier vijojnë vatra aktive të zjarrit. Nga Frakulli ku filloi dhe sezoni i zjarreve situate ka qenë e vështirë po me shumë angazhim arritëm që ta shmangim, zjarri në Qeparo në një zonë të banuar dhe turistike, një tjetër zjarr delikat ishte ai pranë kishës së Laçit ku pati një përqendrim të madh të forcave përkatëse dhe në Shpirag ku fatmirësisht kemi arritur që ta shmangim. Zjarr kemi aktualisht në pyjet e Lurës.”
Ndërkohë që po i afrohemi stinës së reshjeve, Peleshi tha se duhet kujdes për rrezikun tjetër që mund të shkaktohet nga reshjet në lidhje me përmbytje të mundshme.
“Kemi pasur reshje në veri mund të kemi situata lokale të daljes nga shtrati të lumenjve apo përrenjve për të shmangur humbjet e jetëve në fillim u bëj thirrje të gjithëve që të jenë të kujdesshëm. Pavarësisht se nga ulja e temperaturave këto ditë do të ketë edhe rritje të tyre ose mund të kemi një prani të madhe reshjesh ndaj edhe dola në këtë komunikim publik.”
Ditët e fundit fatmirësisht reshjet e shiut kanë qënë lokale dhe nuk kanë shkaktuar dëme apo rreziqe në lidhje me përmbytjet.





