Këshilltarët e sigurisë kombëtare nga e gjithë bota u mblodhën të dielën në Davos ndërsa Ukraina po përpiqet të gjejë një formulë për paqe, për t’i dhënë fund agresionit pothuajse dyvjeçar të Rusisë.

Presidenti ukrainas, Volodymyr Zelenskiy, i cili është planifikuar të flasë në Forumin Ekonomik Botëror (WEF) në Davos më vonë gjatë javës, nuk ishte në sesionin e hapjes herët në mëngjes ku merrnin pjesë 81 zyrtarë nga vende dhe organizata të ndryshme ndërkombëtare.

Zoti Zelenskiy u përfaqësua në bisedimet e së dielës nga shefi i tij i shtabit Andriy Yermak, ku morën pjesë edhe përfaqësuesja e posaçme e Shteteve të Bashkuara për Rimëkëmbjen Ekonomike të Ukrainës,

Penny Pritzker, si dhe James O’Brien, Ndihmës Sekretar i Shtetit për Çështjet Evropiane dhe Euroaziatike.

Ndërsa rriten shqetësimet në lidhje me vazhdimin e mbështetjes amerikane për luftën në Ukrainë gjatë një viti zgjedhor, Këshilltari i Sigurisë Kombëtare Jake Sullivan dhe Sekretari i Shtetit Antony Blinken pritet t’i drejtohen punimeve të Forumin Ekonomik Botëror, i cili hapet zyrtarisht të hënën në mbrëmje.

Vendi pritës, Zvicra, tha se bisedimet e paqes për Ukrainën kishin si objektiv që të finalizonin parimet “për një paqe të qëndrueshme dhe të drejtë në Ukrainë” në nivelin e këshilltarëve të sigurisë kombëtare.

Parimet, tha ajo në një deklaratë javën e kaluar, duhet të përbëjnë bazën për fazat e ardhshme të procesit të paqes.

Vëmendja në Davos është përqendruar tek roli i vendeve në zhvillim në bisedimet për formulën e paqes në Ukrainë.

Shumë nga vendet e paangazhuara nga Afrika, Amerika Latine, Lindja e Mesme dhe Azia, që kanë qëndruar kryesisht mënjanë lidhur me çështjen e Ukrainës, do të takohen këtë javë në vendpushimin malor zviceran.

E mbështetur fuqishëm nga aleatët e saj, Ukraina ka thënë vazhdimisht se nuk do të dorëzohet derisa të çlirojë çdo pjesë të territorit të marrë nga Rusia. /VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *