Subscribe

Policia e Durrësit ende nuk ka arritur që të zbulojë fakte të reja, çka mund të ndihmonte hetuesit në zbardhjen e identitetit të autorëve që ekzekutuan me breshëri.

Policia ka marrë edhe dëshmitë e familjarëve të viktimave. Sipas burimeve, mësohet se viktimat e kanë kuptuar që ishin në ndjekje nga një mjet. Madje, referuar dëshmisë së familjarëve të Dikler Vatës, ky i fundit kishte telefonuar nënën e tij të cilës i kishte shprehur shqetësimin se dikush po i ndiqte.

Deri më tani, policia ka sekuestruar mbi 40 orë filmime nga kamerat e sigurisë të bizneseve në këtë aks rrugor ku ka arritur që të zbulojë edhe itinerarin që tre të rinjtë kishin ndjekur ditën e vrasjes. Deri më tani nuk ka asnjë të dyshuar. Në kërkim nga policia janë shpallur disa persona nga zona e Fushë-Krujës dhe Niklës, pasi nuk janë gjetur në banesën e tyre pas kontrollit policor. Ata rezultojnë të jenë larguar jashtë Shqipërisë, gjë që konfirmohet edhe nga sistemi TIMS.

Nga pamjet filmike është zbuluar të tre shokët kanë konsumuar kafe në afërsi të aeroportit të Rinasit. Më pas ata kanë qenë në një tjetër lokal në Fushë-Krujë. Pasi kanë parkuar aty mjetin e tyre, janë larguar me një tjetër person dhe me mjetin e tij i janë drejtuar një servisi në Kamëz. Në kthimin e tyre, kanë ndaluar sërish në vendin ku kishin parkuar mjetin tip ‘Volksëagen Passat’ dhe janë nisur në drejtim të Fushë-Krujës. Pikërisht në momentin kur kanë qenë te mbikalimi, autorët i kanë bllokuar rrugën dhe i kanë ekzekutuar me breshëri plumbash.

Mister mbetet edhe mjeti që u gjet i djegura në Ahmetaq të Vorës 12 orë pas atentatit. Edhe pse nuk kanë prova, hetuesit kanë dyshime së ky mjet mund të jetë përdorur nga autorët për tu larguar nga zona e krimit.

Brilant Martinaj, Dikler Vata dhe Besmir Hoxha, viktimat e masakrës së Fushë-Krujës, ishin të përfshirë në grupin e Ervis Martinajt. Ndërkohë pista kryesore e hetimeve mbetet ajo e përplasjes mes grupeve rivale.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *