Kryeministri i vendit, Edi Rama, së bashku me kryetaren e Kuvendit Elisa Spiropali dhe ministren e Arsimit, Ogerta Manastirliu, ka zhvilluar mëngjesin e sotëm një takim me kandidatët për deputetë në qarkun e Tiranës për zgjedhjet e 11 majit.
Rama, gjatë fjalës së tij tha se PS ka ardhur në pushtet pasi është votuar nga 800 mijë shqiptarë dhe theksoi se Partia Socialiste synon 1 milionë vota në këto zgjedhje bashkë me votën e diasporës. Shefi i qeverisë theksoi se këto zgjedhje janë të një rëndësie të posaçme gjeopolitike, pasi për herë të parë Shqipëria ka një mundësi reale për të qenë pjesë e Bashkimit Evropian.
Rama: Ne jemi një parti e gjerë. Jemi këtu prej vullnetit të 800 mijë zgjedhësve dhe me votën e diasporës synojmë të shkojmë 1 milion. Të gjitha zgjedhjet kanë qenë të rëndësishme dhe një parti si e jona hyn për të fituar. Çdo zgjedhje ka pasur peshën e vet mbi ecurinë e vendit, por këto zgjedhje kanë një peshë specifike të posaçme sepse që nga zgjedhjet e para pluraliste, ato të ‘91 dhe ‘92, këto zgjedhje janë të parat që kanë një rëndësi të posaçme gjeopolitike për Shqipërinë.
Për herë të parë, mundësia e hyrjes së Shqipërisë në BE është reale, e prekshme, konkrete dhe aktuale. Asnjëherë si sot kjo nuk ka qenë diçka konkrete dhe aktuale. Është hapur një dritare që nuk do të qëndrojë e hapur përgjithmonë. Si rezultat i përpjekjeve të bëra, ne kemi mundësi të shfrytëzojmë këtë moment. Duhet të jemi të vetëdijshëm që treni i historisë ndalon shumë pak në një stacion, nuk rri aty sepse e tillë është mënyra se si zhvillohet historia. Ne nuk mund dhe nuk duhet ta humbin këtë tren. Është sot ekzistenaciale që ne të jemi brenda në BE.
Rama tha se ka nevojë që të gjithë, gjatë fushatës tu flasin njerëzve për rëndësinë e këtij momenti dhe për rëndësinë e këtij ndryshimi të statusit të vendit. Rama theksoi se vetëm duke hyrë ne BE, Shqipëria mund të sigurojë një herë e mirë lirinë individuale për çdo individ, pasi sipas tij liria individuale e gjithsecilit është e kërcënuar për sa kohë janë jashtë BE.
Rama: Siç është e kërcënuar barazia para ligjit. Ne jemi këtu autorë të Reformës në Drejtësi, udhëheqës të procesit transforues të procesit të drejtësisë. Përballë nesh janë forca që duan votën për të kthyer përmbys gjithçka që është ndërtuar deri tani./vizionplus.tv





