Presidentja e Kosovës, Vjosa Osmani dhe presidenti i Gjermanisë Frank-Walter Steinmeier kanë qenë të një mendimi, se në dialogun ndërmjet Kosovës dhe Serbisë tani ekziston një “momentum i veçantë” pas propozimit evropian për normalizim të raporteve. Kështu thuhet në një komunikatë të lëshuar nga presidenca e Kosovës pas një bisede telefonike që Presidentja Osmani zhvilloi me presidentin gjerman, Steinmeier, ku biseduan për dialogun mes Kosovës dhe Serbisë, që ndërmjetësohet nga Bashkimi Evropian dhe për procesin integrues të Kosovës. “Sa i përket procesit të dialogut me Serbinë, bashkëbiseduesit u pajtuan për momentumin e veçantë që ekziston në këtë proces pas propozimit evropian, të mbështetur edhe nga SHBA-të, ndërkaq, Presidentja Osmani theksoi, se Kosova mbetet e përkushtuar dhe konstruktive për një proces që kontribuon për paqe dhe stabilitet të qëndrueshëm në rajon”, thuhet në njoftimin e presidencës së Kosovës.

Takimi i ardhshëm Kurti-Vuçiq

Vitin e kaluar Kosovës dhe Serbisë iu dorëzua propozimi i BE-së për normalizimin e raporteve, që në opinion njihet si propozimi franko-gjerman që e ka mbështetjen edhe të Shteteve të Bashkuara. Me 27 shkurt, kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe Presidenti i Serbisë Aleksandar Vuçiq, pritet të takohen në Bruksel të ftuar nga shefi i diplomacisë evropiane Josep Borrell.  Kryeministri Kurti, tha se pret që takimi i 27 shkurtit, “të përqendrohet në propozimin evropian dhe jo në interesin e njërës palë”, duke iu referuar Asociacionit të Komunave me Shumicë Serbe.

“Ne presim që edhe të ketë diskutime të mëtutjeshme edhe të ecim përpara mbi bazën e atij propozimi. Mirëpo, për gjëra të tjera nuk mund të flasim tani edhe për shkak se jo pak varet nga ndërmjetësit. Pra, pas ditës së hënë do të mund të dimë më shumë”, tha kryeministri Kurti.

Si kryeministri i Kosovës, Albin Kurti edhe presidenti i Serbisë Vuçiq kanë thënë se e pranojnë në parim propozimin evropian të mbështetur nga Shtetet e Bashkuara. Propozimi siç është thënë deri tani nuk parasheh njohjen e ndërsjellë ndërmjet të dyja vendeve, por zotimin e palëve se nuk do të pengojnë njëra tjetrën në proceset integruese. Dialogu për normalizimin e raporteve mes Kosovës dhe Serbisë ka nisur në vitin 2011 nën ndërmjetësimin e BE-së./DW

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *