Subscribe

Burg pa afat ka caktuar Gjykata e Lezhës për dy të rinjtë që dyshohet se dhunuan drejtorin e OSHEE të këtij qarku. Sebastjan Malotaj dhe Leonard Pepa akuzohen për plagosje me dashje dhe goditje për shkak të detyrës.

 

Përpara togave të zeza ata kanë mohuar akuzat, por Prokuroria shprehet se ka gjetur prova qe vërtetojnë se dy 27-vjeçarët kanë rrahur Edmir Përndrecën, i cili mban detyrën e drejtorit të OSHEE në Lezhë.

 

Pas vendimit të Gjykatës, Përndreca tha se sulmi fizik ndaj tij lidhet me detyrën që kryen.

 

Goditja është për shkak të detyrës se nuk kam pasur probleme të tjera dhe nuk ka të bëjë me asgjë tjetër dhe duke pretenduar gjithmonë që me treguesit kemi arritur në nivelet maksimale. Normale që prishen interesa dhe ndodh edhe kjo, qoftë edhe lëvizje punonjësish që prishin interesa dhe për ato. Jemi rikthyer në punë pa u tërhequr në asnjë moment për të zbatuar ligjin dhe për të bërë detyrën sepse prandaj jemi këtu. Nuk kam pasur asnjëherë probleme me 2 të akuzuarit, nuk i kam njohur.

 

Edmir Përndreca u dhunua më 30 nëntor. 43-vjeçarit fillimisht i përplasën mjetin dhe më pas 2 pasagjerët e makinës tjetër dolen dhe e goditën në kokë dhe në fytyrë. Ngjarja ndodhi pas kontrolleve të shtuara për vjedhje dhe mospagim të energjisë elektrike ku u ndëshkuan disa abonentë përfshirë dhe biznese.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *