Subscribe

 Ajo që për Elbasanin duhet të ishte festë, u shndërrua në ditë dhune. Si asnjëherë tjetër, kryeministri Edi Rama dhe kryedemokrati Lulzim Basha u gjendën në të njëjtën orë dhe në të njëjtin vend në bulevardin qendror të qytetit për të festuar “Ditën e Verës”.  Përplasja e parë u shënua pasi mbështetësit e Partisë Demokratike thirrën “Rama Ik”, teksa kreu i qeverisë, ndodhej përballë tyre.

 

Pak minuta më pas, kur Edi Rama ndodhej në brendësi të lagjes Kala dhe Lulzim Basha në një nga lokalet e qendrës së qytetit, militantët socialistë dhe demokratë u përleshën mes tyre.

 

Në mes të qindra qytetarëve që ishin aty për të festuar, përkrahësit e dy forcave politike u përplasën fizikisht.

 

Pas grushtave, shkelmave dhe të sharave, forcat e  policisë shpërndanë turmën e dhunshme. Disa prej tyre u shoqëruan në rajon për verifikime të mëtejshme.

 

Reagimi i Edi Ramës dhe Lulzim Bashës ishte i menjëhershëm. I pari ishte lideri i opozitës që akuzoi kreun e qeverisë për prishje të festës me kriminelët që e shoqërojnë në Elbasan.

LULZIM BASHA

KRYETAR I PD

“Për një kohë shumë të gjatë ky qytet është mbajtur në vendnumëro, nga ushtruesit e dhunës sot, nga bandat e Elbasanit që me pistoletë në brez shoqëronin kryeministrin në ikje. Unë e di që qytetarët e Elbasanit nuk e duan dhunën dhe mezi e presin ditën e shpresës dhe ndryshimit. Shpresa dhe ndryshimi po vjen, dhuna nuk do ta ndalë dot. I them kryeministrit, mos guxo të kërcënosh qytetarët e Elbasanit me banditë me armë në brez.”

Kryedemokratit,  kryeministri i kërkoi të bëhet burrë, të shkëputet nga Sali Berisha dhe Ilir Meta që qëllim të vetëm kanë pengmarrjen e Shqipërisë dhe reformën në drejtësi.

EDI RAMA

KRYEMINISTER I SHQIPERISE

“Lulzim je bërë një manekin qesharak i pengmarrësve të tu dhe pasi shkon në festën e popullit të Elbasanit me flamuj partie e me një turmë ulëritësish, flet përçart për banda e për kriminelë. Kjo shfaqje vulgare është një tjetër shembull i degradimit të një opozite demode, e cila ka në krye një kukull në duart e Saliut dhe Ilirit, që duan sherr e përçarje, për të marrë peng Shqipërinë e drejtësinë.”

Përtej betejës politike, Edi Rama tha se me Lulzim Bashën nuk është armik, arsye kjo sipas kreut të qeverisë për t’u sjellë si qytetarë në mjedisin shoqëror sa herë u takon që agjendat e tyre të përkojnë në të njëjtin vend dhe orë.

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *