Demonstratat në dhjetëra qytete të SHBA për vdekjen e afrikano-amerikanit George Floyd nën prangat e policisë së Mineapolis, u shndërruan përsëri në dhunë të shtunën mbrëma.

Megjithë ndalimqarkullimet dhe dërgimin e trupave të Gardës Kombëtare në të paktën 12 shtete, për të ndihmuar në frenimin e dhunës dhe plaçkitjeve, trazirat vazhduan deri të shtunën vonë.

Associated Press njofton se afro 1.400 njerëz janë arrestuar në 17 qytete që nga e enjtja. Më shumë se një e treta e arrestimeve u bënë të premten në Los Angeles, tha AP.

Një oficer policie në Atlanta u plagos pasi u godit nga dikush duke hipur në një fuoristradë. Polici “pësoi lëndime të konsiderueshme”, sipas Departamentit të Policisë në Atlanta. Personi që sulmoi pësoi lëndime të vogla dhe u arrestua, tha policia.

Pasdite vonë të shtunën, Presidenti Trump shprehu në Twitter mbështetjen për trupat e Gardës Kombëtare në Minesota dhe policinë e Nju Jorkut. Ai kritikoi kryetarin e bashkisë së Mineapolisit, duke thënë se trupat e Gardës duhej të ishin aktivizuar më shpejt. Disa minuta më vonë, presidenti përsëri komentoi në Twitter për të shprehur vlerësimin për policinë e Nju Jorkut./VOA

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *