Ministrja e Arsimit Evis Kushi ka reaguar në lidhje me rastet e dhunës së të miturve.

Përmes një postimi në rrjetet sociale, Kushi iu bën thirrje drejtuesve të shkollave dhe mësuesve për një vëmendje të shuar ndaj këtyre përgjegjësive që ata kanë.

Mes të tjerash, ajo thekson se fokusi i ministrisë së Arsimit është trajnimi i të gjitha stafeve shkollore për identifikimin e hershëm të rasteve, trajtimin me përgjegjshmëri të tyre.

“Nisur nga rastet e fundit të dhunës së ushtruar ndaj të miturve, fokusi i mbledhjes së përjavshme me drejtuesit e Drejtorisë së Përgjithshme, Drejtorive Rajonale dhe Zyrave Vendore, si dhe Agjencisë së Sigurimit të Cilësisë në Arsimin Parauniversitar, ishte pikërisht trajtimi i këtyre rasteve.

Theksuam nevojën e përhershme për vëmendje të shtuar ndaj përgjegjësisë që ka çdo mësues, drejtues shkolle, psikolog apo punonjës social, për komunikim të ngushtë me nxënësit, prindërit, familjen dhe gjithë komunitetin për të identifikuar në kohë çdo rrezik dhe për të parandaluar çdo rast të mundshëm të dhunës së të miturve, jo vetëm në shkollë, por edhe në familje e kudo tjetër.

Dhuna ndaj të miturve është një fenomen i dhimbshëm global i cili rëndon jo vetëm mbi viktimat dhe familjet e tyre, por në mbarë shoqërinë. Prandaj edhe fokusi ynë në çdo kohë është trajnimi i të gjitha stafeve tona shkollore për identifikimin e hershëm të rasteve, trajtimin me përgjegjshmëri të tyre, e sidomos parandalimin në bashkëpunim me të gjitha institucionet përgjegjëse”, shkruan Kushi.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *