DETAJE/ U qëllua me kallashnikov, kandidati i BDI mori tre plumba, autori i maskuar

Maqedoni e Veriut – Kandidati i Bashkimit Demokratik për Integrim, BDI, për zgjedhjet lokale të 19 tetorit është qëlluar me armë zjarri kallashnikov pasditen e sotme në Kumanovë.
I plagosuri është identifikuar si Zekirja Shahini, 43 vjeç, nga fshati Sllupçan i komunës së Likovës dhe është dërguar për trajtim në spitalin e Kumanovës.
Përmes një njoftimi zyrtar, BDI bën me dije se persona të maskuar kanë zënë në pritë kandidatin dhe bartësin e listës së këshilltarëve të kësaj force politike në Likovë.
Sipas asaj që mediat vendase raportojnë mësohet se Shahini mori tre plagë në këmbë dhe fatmirësisht ndodhet jashtë rrezikut për jetën.
Ndërkohë, dëshmitarët kanë treguar para grupit hetimor se personi i cili e qëlloi 43-vjeçarin mbante maskë dhe u largua me shpejtësi nga vendi i ngjarjes.
BDI është shprehur e shqetësuar pas ngjarjes dhe ka vendosur që të pezullojë aktivitetet e ditës së sotme.
Më tej u bën thirrje autoriteteve që të ndërmarrin hapa konkrete me qëllim rikthimin e sigurisë dhe besimit te qytetarëve te drejtësia.
“Jemi të shqetësuar nga sulmi i armatosur ndaj kandidatit tonë dhe bartësit të listës në komunën e Likovës, i cili u qëllua nga persona me maska dhe u plagos. Fatmirësisht, jeta e tij është jashtë rrezikut dhe ai po merr kujdesin e nevojshëm mjekësor.
Ne dënojmë ashpër këtë akt barbar dhune dhe kërkojmë nga Ministria e Punëve të Brendshme dhe Prokuroria Publike të reagojnë menjëherë, me transparencë të plotë dhe me vendosmëri, për të identifikuar, arrestuar dhe sjellë para drejtësisë autorët e këtij atentati.
U bëjmë thirrje të gjithë mbështetësve tanë, simpatizantëve dhe qytetarëve në përgjithësi që të ruajnë qetësinë, të mos bien pre e provokimeve dhe të tregojnë maturinë që gjithmonë e ka karakterizuar lëvizjen tonë.
Në shenjë solidariteti me të plagosurin dhe për të theksuar seriozitetin e ngjarjes, partia jonë vendos të pezullojë aktivitetet e ditës sotme, ndërsa institucionet të ndërmarrin hapa konkretë për rikthimin e besimit publik dhe sigurisë në terren,” thuhet në reagim./vizionplus.tv




