Subscribe

Të dhënat në sistemin TIMS tregojnë se ekzekutori i biznesmenit Edmond Papa, është ende në Shqipëri.

 

Por hetuesit dyshojnë se 44-vjeçari Andrew Bode, me emrin e mëparshëm Edvin Bode, është larguar ilegalisht drejt Greqisë, ku ai ka lidhje dhe kontakte me bandat kriminale.

 

Hetuesit nuk përjashtojnë mundësinë që Bode, me origjinë nga Berati, të jetë larguar edhe nga shteti grek drejt vendeve të tjera për tu fshehur pas vrasjes me 9 plumba të Edmond Papës.

 

Andrew Bode për momentin është i shpallur në kërkim nga policia brenda territorit të Shqipërisë, ndërsa pritet që të shpallet në kërkim ndërkombëtar.

 

Ai është person me precedent penal për drogë, por asnjëherë nuk është dënuar nga gjykata.

 

Pas dyshimeve se Bode është arratisur ilegalisht drejt Greqisë, një grup hetuesish udhëtuan drejt vendit fqinj për të bashkëpunuar me homologët grekë për kapjen e autorit dhe personave të tjerë që mund të kenë lidhje me krimin.

 

Nga ana tjetër është marrë në pyetje efektivi polici I pezulluar nga detyra Dilaver Velo, babai i autorit të dytë të krimit, Albano Velo. Ai ka mohuar të ketë patur dijeni për përfshirjen e të birit në aktivitete kriminale, apo në vrasjen e Edmond Papës.

 

Megjithatë Dilaver Velo po hetohet për të verifikuar nëse ai ka shfrytëzuar detyrën për të ndihmuar të birin që të largohej nga Shqipëria fill pas vrasjes.

 

Albano Velo dyshohet se ishte organizatori i ekzekutimit të Edmond Papës. Ai është lënë në burg nga Gjykata e Tiranës, ndërkohë që ka mohuar akuzat e ngritura.

 

Por grupi hetimor pasi ka verifikuar kamerat e sigurisë dhe tabulatet telefonike, ka vërtetuar se Velo ka qenë në zonën e Selitës ditën e vrasjes, si dhe dy ditë përpara ngjarjes.

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *