Subscribe

 

Sulmi terrorist në Londër do të mund të kishte pasoja dramatike nëse agresorët do të realizonin plotësisht planin e tyre për të marrë me qira një kamion 7.5 ton. Lajmin e bën me dije policia londineze e cila ka zbardhur detaje të reja nga hetimet e sulmit në zemër të kryeqytetit anglez.

 

Sipas autoriteteve, terroristët dështuan që të kryenin saktësisht pagesën për të pajtuar kamionin dhe kanë përdorur një automjet më të vogël. Por hetuesit theksojnë se për të rritur peshën e furgonit, militantët kishin vendosur në pjesën e pasme thasë me rërë.

 

Gjithashtu, policia e Londrës bën me dije se në furgon janë gjetur bomba molotov dhe disa thika qeramike. Nga plagët e vërejtura në radhët e qytetarëve që ndodheshin në Urën e Londrës, policia theksoi se plani i terroristëve ishte që të prenin damarët në kyçet e duarve.

 

Tre agresorët u ekzekutuan nga policia 8 minuta nga marrja e telefonatës së parë për sulmin terrorist. Ndërkohë uniformat blu kanë theksuar se numri i viktimave është rritur në 8 vetë. I fundit qe humbi jetën  është identifikuar si Ksavier Tomas.

 

Mbrëmjen e tre qershorit Britania e Madhe u trondit nga sulmi i tretë terrorist brenda pak muajsh, pasi tre terroristë shtypën kalimtarët në Urën e Londrës dhe më pas i goditën ata me thikë.

 

 

Leave a Reply

Your email address will not be published. Required fields are marked *