Dështon konstituimi i Kuvendit në Kosovë, seanca e radhës do të mbahet ditën e shtunën
Dështon edhe seanca e dytë e konstituimit të Kuvendit të Kosovës. Kryesuesi i kësaj seance, deputeti i “Lëvizjes Vetëvendosje” Avni Dehari njoftoi se nuk ka patur konsensus gjatë konsultimeve nga përfaqësuesit e partive.
Sipas kreut të Partisë Demokratike të Kosovës Memli Krasniqi “Lëvizja Vetëvendosje” nëpërmjet kryesuesit të seancës, ka uzurpuar kuvendin për qëllime partiake.
“Lëvizja Vetëvendosje në mënyrë të organizuar kanë ardhur për të penguar seancën, sot ka pasur uzurpim partiak të institucionit përfaqësues të qytetarëve të Kosovës. Në vend se të zbatohet vazhdimi i seancës të hidhet në votim raportimi, një gjë e tillë nuk ka ndodhur, por është keqpërdorur kjo e drejtë që i takon deputetit më të vjetër si kryesues i seancës për të arritur qëllime partiake. Kuptohet këta jo që s’kanë shumicë , por nuk janë as afër shumicës dhe unë i ftoj mos ta mbajnë peng konstituimin e Kuvendit të Kosovës”, tha Krasniqi.
Ndërkohë kreu i LDK-së Lumir Abdixhiku u shpreh se Dehari e mbylli seancën padrejtësisht.
“Qytetarët e Kosovës e kanë shumë të qartë se kush janë bllokuesit e vërtetë të seancës konstituive. Kryesuesi, që rastis të jetë më i vjetri në moshë dhe që vjen nga partia e parë, e ndërpreu padrejtësisht seancën e sotme – në kundërshtim me praktikën kushtetuese – ndonëse kishte kuorum të mjaftueshëm dhe kushte për votimin e raportit të Komisionit Verifikues. Kjo shkelje e rëndë dhe kjo sjellje e pazakontë përbëjnë një veprim tërësisht të gabuar politikisht – dhe për të nuk ka asnjë arsyetim”, tha Abdixhiku.
Ndërkohë ministrja në detyrë e Drejtësisë, Albulena Haxhiu, ka deklaruar se “Lëvizja Vetëvendosje” ka treguar gatishmëri për të gjetur zgjidhje.
“S’mund të vijmë në një zgjidhje pa pasur konsultime mes partive politike. Ne sot ishim të gatshëm të japim kontributin tonë për zgjedhjet e mundshme që mund t’i kemi para vetes”, tha Haxhiu.
Dështimi i kësaj seance për herë të dytë e ka lënë Kosovën në vend numëro duke mos i hapur rrugën formimit të institucioneve të reja të vendit.




